Arbëri

Nagavci: Dyshimet në proces zvarritën rekrutimin e 20 inspektorëve të arsimit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se procesi i rekrutimi të 20 inspektorëve, që ishte nisur qysh nga viti i kaluar, ka ngecur si shkak i dyshimeve rreth kredibilitetit të procesit. Në konferencë për media ajo ka bërë të ditur se hetimet për këto dyshime do të përmbyllen së shpejti

Dyshimet mbi besueshmërinë e procesit të rekrutimit të 20 inspektorëve të arsimit kanë ndikuar që çështja e përzgjedhjes së tyre të pësojë ngecje që prej vitit të shkuar, ka thënë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci. Në këtë konkurs kanë aplikuar 240 persona prej të cilëve Ministria në listë të ngushtë ka përzgjedhur 39 kandidatë. Mirëpo, sipas ministres, grupi i cili ka qenë kompetent t’i zhvillojë intervistat ka gjetur disa vërejtje të cilat i janë bërë të ditura Ministrisë. Kësisoj, ajo në konferencë për media bëri të ditur se si pasojë e mundësisë për ndërhyrje apo korruptimit të procesit janë duke u zhvilluar hetime, epilogu i të cilave do të mësohet shumë shpejt.

“Kërkesa, vëmendja dhe insistimi ynë do të jetë që vetëm kandidatët që janë më të mirët, më të përgatiturit dhe që i plotësojnë kriteret do të jenë inspektorë të arsimit. Është duke u shqyrtuar nga ana e Ministrisë, në mënyrë që të sigurohemi që nuk ka pasur asnjë ndërhyrje e asnjë korruptim të procesit. Besoj që shumë shpejt do të kemi edhe vendimin final nga Ministria se a është evidentuar ndonjë shkelje”, është shprehur ministrja.

Përveç këtyre 20 inspektorëve, Nagavci theksoi se Ministria synon që t’i rekrutojë edhe 20 të tjerë brenda vitit.

Krahas kësaj, ajo paralajmëroi po ashtu se edhe legjislacioni që ndërlidhet me licencimin e mësimdhënësve pritet që të dalë në konsultim publik muajin e ardhshëm i cili, sipas saj, synon përmirësimin e cilësisë në arsim.

“Grupi punues është në finalizim dhe gjatë muajit mars do ta kemi në dëgjim publik edhe shqyrtimin paraprak, besoj që do të jetë në gjysmën e parë të muajit mars”, është shprehur ajo.

Në konferencën e së premtes që tash e tutje do të kthehet në të përjavshme, ministrja ka numëruar disa nga punët që sipas saj janë kryer këtë fillimvit. Në mesin e tyre si arritje ka përmendur dy marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara të enjten në Kuvend, të nënshkruara nga kryeministrat e gjashtë vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit. Njëra që kishte të bënte me njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe tjetra për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore. Ajo ka treguar disa nga përfitimet që dalin prej këtyre marrëveshjeve.

“Të dy këto ligje të miratuara e mundësojnë mobilitetin e studentëve, lehtësira për të rinjtë tanë dhe po ashtu edhe mundësi për veprimin e profesionistëve pa barriera në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi vendi i dytë që i kemi miratuar në Kuvendi këto marrëveshje, duke i shndërruar në ligje dhe pres që edhe vendet e tjera t’i ratifikojnë sa më shpejt në mënyrë që të zbatohen suksesshëm“, ka thënë ajo.

Nagavci njoftoi gjithashtu se dikasteri që e drejton është duke punuar edhe në procesin e përzgjedhjes së katër anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.