Arbëri

Berisha i PDK-së: Interesi i VV-së është që të mos zbardhen rastet e vëllezërve Dehari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka për interes të mos e zbardhë rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, që më 2016 u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.

Në Kuvend, Berisha ka thënë se Vetëvendosje e ka përdorur rastin e Deharit për përfitime politike.

“As pas ekspertizës së institucioneve zvicerane s’ka epilog, vendim gjyqësor, gjë që vë në dyshim se ka ndërhyrje direkte të politikës dhe Qeverisë në zbardhjen e këtyre rasteve. Duhet ta themi troç se interesi i politikës, partisë në pushtet, Qeverisë, është që ky rast të mos zbardhet. Kjo Qeveri ka vetëm një qëllim që të kapë drejtësinë përmes këtij rasti dhe rasteve tjera prandaj që nga viti 2019 s’po zbardhet që kur VV-ja erdhi në pushtet dhe ka pushtetin absolut. Njëjtë pres të ndodhë siç ka ndodhur me rastet e vrasjes së pasluftës”, ka thënë Berisha duke vazhduar me akuza të rënda.

Ai ka thënë se janë dy “parakushte” për ta zbardhur rastin. Ka ndërlidhur këtu edhe rastin e vetëvrasjes e vëllait të Astrit Deharit, Arbënorit. Ka aluduar se “nëse zbardhet rasti i sulmit në objektet e institucioneve do të ishte tërmet për VV-në”.

“Parakushti i parë është të zbardhet e rastit terrorist në sulmet në Presidencë dhe objekt të Qeverisë. Por rasti mbi këto s’pres ta zbardhni sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin tuaj. Parakusht i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit. Cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje? Për shkak të ndjeshmërisë, askush s’e ka marrë guximin të flasë publikisht, por tani është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ka qenë i involvuar dhe në rolin e sinjalizuesit. Indikativë mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me emrin vëllezërit Dehari. E unë pyes se cili ishte roli i tyre? A bëhet për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusin në histori. Së fundmi ndodhi vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja të marrë përgjegjësi ajo filloi me akuzua prapë opozitën. Po ndihem keq që po duhet ta hap këtë çështje para bacës Avni, por e di se Astrit Dehari ishte kundër marrëveshjes që sot i ka nënshkruar Qeveria”, ka thënë Berisha.

Berisha është penguar të flasë nga deputetët e VV-së të cilët në shenjë revolte kanë bërë zhurmë nga ulëset e Kuvendit të Kosovës. Njëjtë ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar qetësi në sallë duke thënë se do t’ia sqarojë rastin deputetit Berisha. Konjufca ka thënë se nëse di diçka, le të shkojë në prokurori.

“Edhe ju e dini fort mirë që përpjekja për ta lidhur LVV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike. Zoti Berisha për këtë ka vendim gjykate që i ka liruar personat e dyshuar. Nëse dini diçka më shumë unë e kisha ftuar prokurorin të ju marrë në pyetje. A çka do që kanë ditë institucionet i kanë liruar këta persona çka na nxjerr në konstatimin që ka qenë proces i montuar”, ka thënë Konjufca.

Diskutimi ka përshkallëzuar, me Berishën i cili i është drejtuar një deputeti të VV-së duke i thënë se “nëse ke diçka personale dalim jashtë”.

Ndërkohë, deputetja e VV-së, Tinka Kurti, ka thënë se babai i Astrit dhe Arbënor Deharit, Avniu, që po ashtu është deputet i mazhorancës, e ka lëshuar sallën e Kuvendit pas fjalëve të Berishës.

“Avni Dehari e lëshoi sallën. Njeriu që ka duruar gjithçka, pafytyrësinë e deputetit Berisha nuk mundi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

VIDEO: