Komandanti që udhëhoqi FSK-në në Turqi: Shpëtuam katër persona nga rrënojat
Komandanti i kontingjentit të FSK-së që udhëhoqi ekipin e kërkim-shpëtimit në Turqi, Egzon Syla, ka thënë se ekipi ka arritur që të shpëtojë të gjallë katër persona nga rrënojat si pasojë e tërmetit që ka ndodhur rreth dy javë më parë atje.
Syla ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se kanë punuar me orë të tëra me vullnet të madh për të shpëtuar jetë njerëzish.
Ai ka treguar se shpeshherë pjesëtarët e kërkim-shpëtimit që ka udhëhequr ai kanë refuzuar të pushojnë së kërkuari për të mbijetuar.
“Ka qenë edhe një problem se nëse u kam kërkuar pjesëtarëve që të ndërrohen dhe të pushojnë nuk kanë dashur të pranojnë. Për të pasur se ku do të zhvillohet operacioni janë futur edhe brenda dhe kur arrin të dëgjosh zëra duke kërkuar ndihmë, dëshira është që të futet menjëherë brenda. Derisa janë nxjerrë njerëzit nga rrënojat edhe tri katër herë ka pasur tërmet. Janë katër persona të gjallë dhe ka disa viktima, ne gjithmonë kemi pasur prioritet personat e gjallë, për viktimat kur i kemi gjetur kemi vepruar vetë”, ka thënë Syla.
Sipas tij, misioni i tyre është përmbyllur me sukses dhe se të gjithë pjesëtarët e FSK-së janë kthyer në Kosovë pa ndonjë problem, derisa ka shtuar se atje kanë qëndruar për rreth 15 ditë.
“Kemi qenë dy ekipe të kërkim-shpëtimit nga garda kombëtare gjithashtu edhe ekipi K9 nga Garda Kombëtare që janë qentë e shpëtimit, kemi pasur një ekip të mjekësisë nga regjimenti i mjekësisë së FKS-së dhe mbështetje nga njësia e komunikimit. Kemi operuar në vende të ndryshme. Ekipet e K9 u kanë ndihmuar ekipeve të kërkim shpëtimit turk që t’i gjejnë tre persona të gjallë nën rrënoja. Në operacion kemi pasur gjithsej tre qenë të K9 që janë të specializuar për kërkimin e njerëzve nën rrënoja. Kemi filluar në orët e hershme të mëngjesit dhe kemi përfunduar të nesërmen në ora 6 të mëngjesit. Pas orëve të gjata të punës kemi ndërruar ekipet dhe kemi punuar edhe 24 orë”, ka shtuar ai.
Tërmeti prej 7,8 shkallësh që ka goditur Turqinë dhe Sirinë në mëngjesin e 6 shkurtit ka lënë të vdekur rreth 43 mijë persona.
Një tërmet tjetër prej 6,4 shkallësh është regjistruar edhe me 20 shkurt në të njëjtin territor.