Bashkimi Evropian ka dhënë detaje lidhur me takimin që pritet të mbahet midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra për Politikë të Jashtme dhe Siguri, edhe Kurti edhe Vuçiqi e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, bashkë me të dërguarin special për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, duke filluar nga ora 15:00, e më pas do të mbahet një takim i përbashkët.
“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë”, thuhet në njoftim.