Arbëri

Ekonomia e mbijetesës

Investimet më të mëdha që nga paslufta janë bërë në infrastrukturën rrugore. Këto investime u përcollën me shumë jotransparentë dhe dyshime për keqpërdorim
 

Për një dekadë e gjysmë shtet, Kosova nuk ka arritur të krijojë qëndrueshmëri ekonomike. Vitet e shtetësisë u përmbyllën vazhdimisht me rritje vjetore ekonomike, por të pamjaftueshme për të zënë ritmin e zhvillimit të vendeve evropiane. Përballimit të shkallës së lartë të varfërisë dhe papunësisë i ka ndihmuar diaspora, e cila nga shpallja e pavarësisë ka dërguar në Kosovë afro 10 miliardë euro

Shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë ka qenë përcaktuese e qëndrueshmërisë dhe e perspektivës ekonomike të Kosovës, vendit që u pavarësua nëntë vjet pas luftës shkatërrimtare. Në 15 vjet shtet, institucionet kanë arritur pjesërisht t’i adresojnë nevojat e qytetarëve për mirëqenie më të mirë, pasi rritja ekonomike me një mesatare prej 4 për qind ishte e pamjaftueshme. Me këtë ritëm, sipas Bankës Botërore, Kosovës do t’i duhen deri në gjashtë dekada për të arritur nivelin e të ardhurave që kapin ato të Bashkimit Evropian.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se Kosova ka dalë nga lufta me ekonomi të dërrmuar dhe se problemet ishin prezentë edhe pas shpalljes së pavarësisë.