Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se ka dyshime se vlerësimi i pronave në Kosovë është bërë në mënyrë paushallë.
Shatri ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se dyshohet se në bazë të një mostre, është vlerësuar një zonë e tërë, gjë që sipas tij, ka dëmtuar një pjesë të banorëve.
“Ka dyshime që ky vlerësim është bërë paushall dhe nuk është i drejtë sepse janë dëmtuar në vlerësim shumë pronarë. Sepse në bazë të një mostre është vlerësuar një zonë e tërë, dhe në qoftë se është marrë një mostër në rrugën kryesore dhe është vlerësuar gjithë zona që nuk është në rrugën kryesore, ata që janë në periferi, janë vlerësuar në bazë të vlerës së tregut të një objekti që është në rrugën kryesore, ata janë të dëmtuar”, ka thënë Shatri.
Ai ka kritikuar Qeverinë se nuk po i shfrytëzon mekanizmat që i ka në dorë për të ndërhyrë në rastet e krizave.
Shatri po ashtu ka kritikuar vendimin për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë, duke thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati është sjellë si një sheik me këtë vendim.
“Është një shprehje në popull: me ia ngjit vetullat e me ia nxjerrë sytë. Këta e rritin tatimin në pronë dhe ministri i Financave del si sheik dhe thotë se po ua falim nga 100 euro. Aq primitive është kjo si shprehje. Ai ka kompetenca ta zbatojë ligjin në fuqi, kjo është puna e tij. Qysh ia fal 100 euro dikujt që e ka tatimin në pronë vetëm 50 euro”, ka thënë Shatri.