Arbëri

Pak të interesuar për konkursin për policë në veri

Për plotësimin e 570 pozitave në Polici për stacionet në veri kanë kandiduar vetëm 140 veta. Konkursi është mbyllur, por institucionet nuk kanë bërë të ditur numrin e serbëve që kanë kandiduar e as të etnive të tjera. Njohësit e çështjeve të sigurisë si zgjidhje e shohin rikthimin në punë të atyre që dhanë dorëheqje, mundësi që është përjashtuar nga kryeministri Albin Kurti

Thirrjes për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës në veri u janë përgjigjur 140 kandidatë.

Me hapjen e konkursit në fillim të janarit, e që u përmbyll javën e kaluar, institucionet synonin që të plotësonin mbi 570 pozita të mbetura bosh në Polici pas dorëheqjes së serbëve.

“Janë paraqitur 578 dorëheqje prej të cilave 461 nga Policia e rendit publik, 107 nga Policia kufitare dhe 10 nga hetimet”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Numri i aplikimeve që ka pranuar Policia e Kosovës vlerësohet i vogël nga njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Megjithëse shton se një interesim i tillë është pritur. Sipas tij, kjo është pasojë e presionit që kanë serbët nga Beogradi zyrtar.

“Nëse e bëjmë një lloj raporti në mes të atyre që kanë aplikuar dhe atyre që nevojiten, plus është faza e seleksionimi, që shumë prej tyre do të eliminohen, është një numër minor. Tash pritjet nga unë kanë qenë ashtu çfarë ndodhën. Është trysnia e Beogradit, e ekstremistëve serbë që të mos aplikojnë”, ka thënë Ibishi.

Sipas Ibishit, një vendim politik për rikthimin e atyre që janë dorëhequr është mundësia e vetme e plotësimit të vendeve të lëna bosh.

Ibishi thotë se në një proces eventual të rikthimit do të duhej të kishte përjashtime.

“Mundësia është kjo, duke përjashtuar në formë selektive ata që kanë qenë nismëtar të kësaj, duke refuzuar urdhrat ligjor si Gjuriqi, jomeritor ka qenë edhe si drejtor i rajonit pa gradë ekuivalente, por edhe tjerë që në një formë kanë ndikuar dhe kanë qenë të involvuar edhe në veprime kriminale, kundërvajtës, ata duhet përjashtuar nga mënyra e rikthimit”, ka shtuar Ibishi.

Por mundësi e rikthimit ishte përjashtuar nga kryeministri Albin Kurti në disa raste, meqë, sipas tij, bëhet fjalë për dorëheqje politike.

Ministria e Punëve të Brendshme e as Policia e Kosovës nuk kanë treguar se sa prej kandidatëve që kanë aplikuar në konkurs janë serbë e sa nga komunitetet e tjera.

Policët serbë dhanë dorëheqje në fund të nëntorit në shenjë proteste ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës lidhur me targat ilegale të Serbisë. Përveç në Polici, vakante kanë mbetur me qindra pozita edhe në sistemin e drejtësisë dhe në pushtetet lokale të komunave veriore.