Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka treguar për terminalet doganore të cilat menaxhohen nga shteti. Ai ka thënë se aktualisht nuk aplikohen taksa për kamionët të cilët zhdoganohen në terminale publike, përveç ato të Trepçës për të cilët aplikohet taksa prej 5 eurosh.
Llugaliu ka thënë se kanë mbetur tri terminale nën menaxhimin e kompanive private.
“Edhe tri terminale mbeten në menaxhim, por do ketë numër më të vogël të terminaleve sepse politika jonë bazohet në kërkesat ligjore të AUV-it që aty ku janë mundësitë terminalet të afrohen afër kufirit. Terminali Merdares, Mitrovicës, jemi në përpjekje në terminalin e Prishtinës, dhe terminali i Vërmicës, i ka Dogana nën menaxhim”, ka thënë ai.
Llugaliu ka treguar edhe për rëndësinë që ka kthimi i terminaleve doganore te shteti. Ai ka sqaruar se kjo nuk ndikon në të hyrat e Doganës, por te kostoja e përgjithshme për bizneset.
“Është një lehtësi për bizneset, në interes të konsumatorit është që sa e vogël të jetë barra e kostos. Bizneset munden që me mundësitë që i humbin nga kostot shtesë, të njëjtat mjete mund t’i përdorin në projekte të tjera. Kemi bë një lehtësim vitin e kaluar në hapjen në Portin e Durrësit, kemi përllogaritur që mbi 2 milionë vetëm kostoja e pritjes në procedura doganore do evitohet. Kemi arritur që AUV-i i Kosovës dhe i Shqipërisë të evitojnë një procedurë që është zbatuar e dyfishtë dhe aty kemi kosto që kalon shuma milionëshe”.
Drejtori i Doganës ka theksuar se deri tash për këtë vit ka rritje prej 6% në të hyra.
“Kemi rritje rreth 6% në krahasim me vitin e kaluar. Sivjet nga ne pritet që të mbledhim 1 miliard e 661 milionë. Është e vështirë të parashihet si do shkojë projeksioni duke marrë parasysh problemet që po ballafaqohet industria, por përpjekjet tona për të luftuar të gjitha format e mashtrimit, do përpiqemi të jemi në nivel të detyrës”.
Ndërkohë, Llugaliu tha se listën e importit e kryeson Turqia dhe se Serbia nuk qëndron më në këtë listë. Kurse, në eksport Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pas Turqisë, është Gjermania, Maqedonia e me radhë. Jo Serbia nuk është në tri të parat për import. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të ndryshimeve fiskale. Më 2021 dhe 2022 SHBA ka qenë vendi kryesor ku Kosova ka arritur të ketë vlerën më të madhe të eksportit, diku 120 milionë. Dominon shtretërit, mobilieritë, materialet ndërtimore, sidomos më 2021 ka qenë e theksuar, për shkak se siç duket ne e gëzojmë statusin e preferencave të origjinës dhe SHBA ka pasur politikë me disa tregje të tjera që ka ndikuar që produktet tona të zënë vend atje”, ka thënë ai.
Dorëheqja e punonjësve të Doganës nga komuniteti serb nuk është se ka ndikuar shumë, ka thënë Llugaliu. Ata punonjës janë zëvendësuar menjëherë, shtoi ai.
“Në Doganë nuk ka ndikuar shumë sepse nuk ka pasur shumë doganierë të dorëhequr, kanë qenë 11, i kemi zëvendësuar të gjithë dhe po vazhdojmë pa probleme. Nuk qëndrojmë keq edhe pas dorëheqjes së këtyre zyrtarëve. Edhe ne do të kemi së shpejti konkurs për pranim të zyrtarëve të rinj”, ka theksuar Llugali duke shtuar se edhe punonjësit e dorëhequr mund të aplikojnë sërish.