Arbëri

Gjykata gjermane shpall fajtor shtetin e Kosovës në rastin e zyrtarit të Konsullatës në Frankfurt

Zyrtari tekniko-administrativ që ishte i punësuar në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt e ka fituar kontestin ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, për shkëputje të paligjshme të kontratës dhe pa paralajmërim. Edhe pse Gjykata gjermane në Frankfurt ka konstatuar se ligjërisht zyrtari për siguri, Murat Makolli vazhdon të jetë i punësuar, MPJD-ja ende nuk i ka dhënë epilog këtij rasti

Një gjykatë e punës në Gjermani e ka shpallur fajtor shtetin e Kosovës për ndërprerjen e jashtëligjshme të kontratës së zyrtarit për siguri në Konsullatën e Frankfurtit. Murat Makolli, i punësuar si rojë në këtë mision, më vonë ishte ngarkuar edhe me detyra të cilat hyjnë në domenin e diplomatëve.

Këtë rrethanë Ministria e Punëve të Jashtme e ka përdorur për ta kontestuar vendimin e Gjykatës, megjithëse për detyrat me të cilat ishte ngarkuar Makolli nuk i ishin përshkruar në kontratën e punës, e cila i ishte ndërprerë pa paralajmërim.

Edhe pse prej prillit të viti 2020 i ishte ndaluar hyrja në Konsullatë përmes dy vendimeve për “ndërprerje të jashtëzakonshme të kontratës”, Gjykata gjermane ka konstatuar se ligjërisht Makolli vazhdon të jetë i punësuar.

“Konstatohet se marrëdhënia e punës e palëve nuk është ndërprerë as me largimin e të pandehurit pa paralajmërim dhe as me njoftimin e zakonshëm të datës 16 shtator 2020. I padituri (MPJD-ja v.j.) është i detyruar të vazhdojë ta punësojë paditësin (Makolli v.j.) si punëtor i sigurimit (roje) me kushtet e pandryshuara kontraktuale deri në plotfuqishmërinë e përfundimit të procedurës”, shkruan në vendimin e datës 3 nëntor 2022. “Nga aspekti social, largimi nga puna është i papranueshëm. Nuk ka asnjë arsye për sjellje të tillë që nuk i jep të drejtë ta njoftojë zyrtarin për përfundim e marrëdhënies së punës pa paralajmërim”.

Tutje në vendim, MPJD-ja obligohet që t’i bartë edhe shpenzimet e gjykatës në vlerë prej 9200 eurosh.

Paraprakisht gjykata gjermane kishte nxjerrë aktgjykim edhe me datën 22 gusht 2022, ku MPJD-ja obligohej të paguante 6900 euro dhe zyrtarin tekniko-administrativ ta kthejnë në vendin e punës.

Gjykata e ka trajtuar edhe pretendimin e Makollit se Konsullata e ka ngarkuar me detyra që nuk i janë përshkruar në kontratën e punës dhe të cilat hyjnë në domenin e diplomatëve që gëzojnë imunitet në shtetin pritës. Edhe Ministria në njërën prej seancave kishte argumentuar se Makolli nuk mund të gjykohet nga një gjykatë gjermane për shkak të imunitetit. Por institucioni gjerman ka konstatuar se ky pretendim nuk qëndron.

“Gjatë procedurës, i padituri iu referua faktit se padia ishte e papranueshme sepse Republika e Kosovës nuk i nënshtrohet juridiksionit gjerman dhe paditësit i ishin caktuar detyra sovrane. Qëndrimi i paditësit është ndryshuar më 9 mars 2018, me efektin se ai ishte emëruar ndihmës administrativ dhe tregon se Republika e paditur e ka konfirmuar këtë ndryshim me shkresën e datës 9 mars 2018”, shkruan në vendim.

“Si pasojë e këtij ndryshimi, paditësi merrej me çështjet e pasaportave dhe letërnjoftimeve. Ai kryente edhe detyra sovrane si punëtor i sigurimit (rojë). Marrja e pasaportave të vjetra dhe dhënia e pasaportave dhe e letërnjoftimeve të reja, si dhe vozitja e konsullit të përgjithshëm përbën një detyrë sovrane, përveç kësaj, paditësi ishte përgjegjës edhe për sigurinë personale, transportonte postë diplomatike dhe kishte qasje në banesat private të diplomatëve”.

Sipas gjykatës, punët e përshkruara në kontratë janë detyra tipike të një shërbimi sigurie që monitoron dhe kontrollon se kush ka qasje në një ndërtesë publike dhe sa kohë qëndron aty.

“Në këtë aspekt nuk mund të supozohet një lidhje funksionale me detyrat konsullore të Republikës që është paditur. Për më tepër, bëhet fjalë për masat e sigurisë së objektit dhe personave të punësuar në të. E njëjta gjë vlen edhe për aktivitetet e shoferit. Ky padyshim transportonte zyrtarë të lartë shtetërorë dhe sipas palës së paditur, postë zyrtare konfidenaciale. Mirëpo edhe këtu nuk ka lidhje funksionale me detyrat konsullore që do ta arsyetonin imunitetin shtetëror, sepse detyra e paditësit në këtë kontekst është të ofrojë shërbime të vozitjes dhe transportit, por jo të veprojë funksionalisht në emër të Republikës e Kosovës”, shkruan në vendim.

Zyrtarë të Ministrisë nuk ishin paraqitur në seancën gjyqësore të datës 3 nëntor, pavarësisht se gjykata i ka dërguar ftesë një muaj më herët. Kësisoj, vendimi është nxjerrë në mungesë.

Vendimi për largim nga puna të Makollit ishte marrë nga ish-shefja e konsullatës, Fatmire Musliu me arsyen se vartësi i saj, nuk i ka përmirësuar sjelljet me gjithë vërejtjet e dhëna. Por në vendim nuk specifikohen vërejtjet dhe shkeljet e supozuara.

“Koha Ditore” e pati publikuar letrën e Makollit, i cili ankohej në Musliun për ushtrim presioni dhe shtytje drejt veprimeve në kundërshtim me ligjin. Sipas Makollit, mes të tjerash, Musliu e kishte detyruar atë ta dërgonte në një destinacion të caktuar, edhe pse nuk ka pasur veturë zyrtare e as nuk ka qenë shofer i Konsullatës. Si pasojë e stresit dhe presionit të vazhdueshëm, siç shkruan në ankesë, Makolli ka pësuar paralizë nervore, pas së cilës është detyruar të marrë trajtim dhe të shkojë në pushim mjekësor.

Përkundër vendimit të gjykatës, Makolli, thotë se Ministria deri tash ka refuzuar t’i japë epilog rastit të tij.

“Kam menduar se ky vendim do të ekzekutohet në momentin kur bëhet i plotfuqishëm por që deri më tash nuk kemi asnjë përgjigje. Për këtë jam i befasuar për shkak se këtu del që ligjshmëria është e pazbatueshme, edhe pse e kemi një verdikt të gjykatës së punës i cili është i plotfuqishëm, po ashtu i vërtetuar që është pranuar nga Ministria më datën 7 dhjetor 2022. Nuk e di arsyen se si po shkon ky proces në MPJD sepse nuk e kam marrë asnjë përgjigje në e-mailet që i kam dërguar”, ka deklaruar Makolli për KOHËN.

Ai ka paralajmëruar vazhdimin e betejës ligjore me Ministrinë e Punëve të Jashtme duke kërkuar edhe kompensimin e pagave.

“Mbrojtja ime do ta paraqesë një ankesë, sepse gjykata konsideron se unë jam në vendin e punës dhe në marrëdhënie pune. Por realisht nuk jam në marrëdhënie pune për shkak të mosveprimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Moszbatimi i vendimit do të ketë pasojat e tjera financiare, por edhe ligjore... Dëmtimi është edhe në aspektin diplomatik se me këto vendime njoftohet edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë dhe dëmtohen marrëdhëniet diplomatike. Procesi është qe tre vjet, kanë thënë se presim vendimin, por që ende nuk po zbatohet. Prapë ndihem moralisht i dëmtuar por edhe financiarisht”, ka thënë Makolli. “Atë kohë, kam qenë në pushim mjekësor për shkak të një paralize nervore. Edhe kjo paralizë nervore është konstatuar nga mjekët dhe institucionet shëndetësore në Gjermani, që është shkaktare presioni në vendin e punës. Vendimi për shkarkim ka qenë i paligjshëm sepse ne si staf tekniko-administrativ jemi pranuar me komision dhe kjo nuk është zbatuar nga zonja Musliu. Ndërprerja e jashtëzakonshme e marrëdhënies së punës në termin juridik nuk ekziston, në asnjë ligj të Kosovës. Nuk ka respektuar as udhëzim as rregullore, në asnjërin vendim”.

MPJD-ja e as ish-shefja e konsullatës në Frankfurt, Fatmire Musliu, gjatë javës nuk kanë ofruar sqarime përkitazi me këtë rast.