Këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për ta pranuar planin evropian, në një bisedë telefonike që e ka pasur të premten me kryeministrin Albin Kurti.
Në një njoftim në Twitter, Chollet ka shkruar se zbatimi i atij planit do të sigurojë përfitime të rëndësishme për Kosovën e Serbinë.
“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar ai në Twitter.
Pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më 6 shkurt, Kurti gjatë një vizite në një fabrikë në Ferizaj, pati thënë se “ne e pranojmë këtë propozimin të Bashkimit Evropian si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara”.