Pas disa muajsh qëndrimesh jo në një vijë sa i përket iniciativave të Qeverisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka publikuar një propozim për çështjen e reformave në sistemin e drejtësisë.
Këshilli Gjyqësor të enjten ka publikuar një “deklaratë të përbashkët zotimi” me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Kryeprokurorin e Shtetit. Në deklaratën e propozuar, KGJK-ja ka rekomanduar që të themelohen grupe të përbashkëta pune për vlerësimin, konceptualizmin dhe draftimin e nismave ligjore për të qartësuar, amandamentuar dhe fuqizuar kuadrin ligjor në disa fusha: përfshirë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve; procesin e rekrutimit, emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve; sistemin e disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve; sistemin e verifikimit të profilit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë; zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve; forcimin e mekanizmave për deklarim të pasurisë për gjyqtarët dhe prokurorë; statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zbatimin e rekomandimeve nga misioni i TAIEX-it për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Institucionet nënshkruese të kësaj deklarate, pa paragjykuar procesin e Komisionit Ad hoc të Kuvendit të Republikës së Kosovës, rreth amendamenteve Kushtetuese dhe Ligjit për Vetting (pasi që institucionet nënshkruese të kësaj deklarate kanë qëndrime të ndryshme rreth amendamenteve Kushtetuese), dhe në linjë me Opinionin e Komisionit të Venecias, respektivisht rekomandimin e Venecias ‘për hyrje në dialog të plotë me Këshillat’ marrim këtë zotim për ta jetësuar këtë pako të reformës ligjore me qëllimin përfundimtar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në deklaratën e propozuar nga KGJK-ja.
Propozimi thekson se si fazë fillestare është vlerësimi i gjerë i punës dhe funksionimit të mekanizmave të brendshëm të gjyqësorit dhe sistemit prokurorial “mbështetur në vlerësime objektive dhe profesionale të institucioneve dhe ekspertëve, pastaj varësisht nga të gjeturat dhe vlerësimet, do të diktohet niveli i reformës ligjore duke pasur për fokus çështjet që drejtpërdrejt ndikojnë në llogaridhënie, efikasitet dhe transparencë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial”.
KGJK-ja dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë qenë në një vijë sa i përket procesit të Vettingut. Kryesuesi i këtij këshilli, Albert Zogaj, procesin e vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese, që ka rekomanduar Qeveria, e ka quajtur humbje kohe. Megjithatë, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që procesi i vettingut të bëhet përmes mekanizmave të brendshëm të KGJK-së dhe KPK-së. Për krerët në drejtësi ka propozuar që vettingu të bëhet me ndryshime kushtetuese.
KGJK-ja dhe Qeveria kanë pasur disa herë përplasje vitin e shkuar. KOHA ka dërguar pyetje te palët e përfshira.
KGJK-ja ka publikuar edhe një plan të veprimit për propozimin e saj:
{gallery}