Prindërit e mësimdhënësja akuzojnë njëri-tjetrin për ushtrim të dhunës ndaj filloristes
Prindërit e një nxënëseje të klasës së parë në shkollën fillore “Ismet Rraci” në Klinë kanë akuzuar mësimdhënësen për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës ndaj vajzës së tyre. Këto akuzat i ka mohuar mësimdhënësja, duke pretenduar se shenjat e dhunës në trupin e vajzës janë shkaktuar nga vetë prindërit. E lidhur me rastin, hetime kanë nisur Drejtoria e Arsimit dhe Policia
Nazmi Kalludra, babai i një nxënëseje në klasë të parë, pretendon se mësimdhënësja e shkollës fillore “Ismet Rraci” në Klinë ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj vajzës së tij.
Ai thotë se para dy muajsh ka vërejtur shenja të dhunës në trupin e së bijës, teksa rastin gjatë kësaj javë e ka raportuar në shkollë dhe në Drejtori të Arsimit.
“Vajza ime ka pasur shenja në qafë para dy muajve prej mësueses, edhe shoqja ime i ka thënë zëvendësdrejtorit që të merret me të. Zëvendësi ka thënë që merret dhe nuk është marrë me të. Mësimdhënësja e ka pranuar, ka thënë që ia ka ngre vetëm flokët, nuk e ka goditur”, ka thënë Kalludra.
Por akuzat e prindërve i mohoi mësimdhënësja, Vera Dedaj. Ajo tha se akuzat nisën kur ajo u konfrontua me prindërit, pasi që nxënësja i ishte ankuar për dhunën e ushtruar nga nëna.
“Vajza ka vajtuar dhe i kam thënë pse Norela me mësuesen, pse po qan, se gjithmonë e kam ledhatuar. Ajo më ka thënë se po frikësohem në shtëpi. Ka ardhur nëna i kam thënë që të mos sillet keq me vajzën, të mos rrahë, ajo më tha ashtu duhet edhe ti mësuese duhesh të jesh më e ashpër, unë i thash nuk e bëj atë gjë”, ka thënë mësimdhënësja Dedaj.
Blerim Kelmendi, drejtor i shkollës, tha të mos ketë pasur mundësi që filloristen ta zhvendoste në ndonjë klasë tjetër, shkaku i numrit të madh të nxënësve.
“Nuk kemi pasur ankesë më herët, mirëpo prindi ka thënë se ky rast ka ndodhur para një kohe. Nëse ka ndodhur, prindi është dashur të vijë dhe të lajmërojë, së paku e kam pyetur a ki ndonjë fakt, ndonjë fotografi, ka thënë nuk kam bërë. Nëse ndodh diçka duhet ta faktojmë”, ka thënë Kelmendi.
Menaxhmenti i shkollës mori vendim që vajza t’i vijojë mësimet në prani të psikologes.
Në Drejtorinë e Arsimit thanë se gjatë ditës kanë filluar hetimet dhe se Qendra për Punë Sociale do t’i hetojë edhe pretendimet për dhunë në familje.
“Ne na duhet fillimisht të marrim gjendjen në shkollë. Janë procedura që duhet t'i dëgjojmë secilën palë dhe të shohim nëse ekziston ankesë më herët nga mësimdhënësi, të shohim nivelin e sjelljes së mësimdhënëses, edhe të pjesa e prindërve ekzistojnë organet që do të merren nëse ekziston një rast i tillë”, ka thënë drejtori i Arsimit në Klinë, Qemajl Sejdija.
E prindërit gjatë ditës rastin e kanë paraqitur edhe në Polici, zyrtarë të së cilës i kanë intervistuar palët e përfshira.