Arbëri

Kica-Xhelili: Sedra e Muratit më e rëndësishme se ligjshmëria e vendimeve të tij

Doarsa Kica-Xhelili

Ish-deputetja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Doarsa Kica-Xhelili, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për kërkesën për falje të 100 eurove të tatimit në pronë.

Këtë kërkesë ajo e ka quajtur “ping pong ligjor”.

Sipas saj në të kaluarën janë votuar ligje në mënyrë që ato të zbatoheshin më pas si kudo në vendet e zhvilluara demokratike, kurse tani, ajo ka vlerësuar se Murati po kërkon të zbatohen ligje inekzistente, siç ka thënë ajo, me parashikim të votimit të tyre në të ardhmen.

“Ministria e Financave thotë që do ta sjell në Kuvend amandamentin që i lejon komunat të falin borxhin e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove, ndërkaq me iniciativë të LVV-së, në Komunën e Prizrenit qenka votuar mocioni për faljen prej 100 eurosh që më pas i shkoi Qeverisë si rekomandim. Ajo që paskan thënë, qenka: Po duam t’i kërkojmë Ministrit të iniciojë ndryshimin ligjor që na lejon si Komunë faljen e borxhit përmes ndryshimeve ligjore. Por, ministri e ka tanimë mundësinë ekzistuese ligjore që vet ta bëj këtë! Ai ka pasur mundësi ligjore që zbatimin e këtij ligji ta shtyjë për vitin 2024, në përputhje me nenin 18, paragrafi 1 të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme. Pse nuk ia kërkuat atë që mund të bëhet menjëherë, nëse qenka aq e rëndësishme”, ka shkruar Kica-Xhelili në Facebook.

Sipas saj të gjitha këto veprime po bëhen për të amnistuar siç ka thënë gabimet ligjore të ministrit Murati.

“Tash, si shkon puna? Do të prisni derisa të hyjë në fuqi ligji në të ardhmen dhe më pas të filloni zbatimin e mocioneve të së kaluarës, apo keni autorizime të gjithëpushtetshme që iu lejojnë të zbatoni në praktikë ligje me ‘besimin’ që do të hyjnë në fuqi ndonjëherë? E gjithë kjo, pse? Që të amnistohen gabimet ligjore të Ministrisë së Financave sepse sedra e ministrit qenka më me rëndësi se ligjshmëria e vendimeve të tij?”, ka shkruar Kica-Xhelili.