Arbëri

Nagavci “arsyeton” mosndërtimin e çerdheve me pandeminë dhe mungesën e lokacioneve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka përmendur përballjen me pandeminë dhe probleme me gjetjen e pronave dhe hapësirave, si “arsye” për mosndërtimin e çerdheve të premtuara në fushatë.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Nagavci është pyetur për ndërtimin e shkollave në veri të vendit, por edhe për çerdhet.

“Sa i përket ndërtimit të shkollave që janë akoma problematike për fëmijët që vijojnë mësimin në këtë pjesë, por edhe për ndërtimin e çerdheve, është një nga premtimet tona për të cilin jam e vetëdijshhme që duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim. Viti i kaluar ka qenë një viti sfidues edhe si pasojë e pandemisë dhe ndryshimeve që janë sjellë. Gjithsesi sa i përket planifikimit kemi ecur përpara dhe besoj se një formë e re e ndërtimit të çerdheve që jemi duke e shqyrtuar, me analiza të detajuara, besoj që do të na japë mundësi të realizojmë premtimin, por edhe për ndërtime apo përmirësimin e kushteve në Mitrovicën e Veriut. Bëhet fjalë për çerdhet modulare, apo objekte modulare, që janë risi apo diçka që po përdoret në Evropë e jo vetëm. E shkurton kohën e ndërtimit dhe shmang rreziqet për fëmijë në vendet ku bëhen ndërtimet...”, ka thënë Nagavci që ka shtuar se përpos këtyre “problemet kanë qenë edhe me gjetjen e pronave dhe hapësirave”.

Ajo ka thënë se pret që në fillim të muajit të ardhshëm gjërat të definohet dhe të dihet rruga përpara.

Në kohën sa mbahej konferenca për media, Nagavci u kritikua nga Lidhja Demokratike e Kosovës pikërisht për çështjen e çerdheve.

“160 çerdhe të reja të premtuara nga qeveria si mbështetje për prindërit. Një tjetër premtim i thyer. Një tjetër zhgënjim për familjet tona. Kosova meriton më mirë!” ka shkruar LDK-ja në Facebook.