Arbëri

Opozita kritikon Kurtin, i vendos kushte për ta përkrahur në bisedimet me Serbinë

Opozita vlerëson se kryeministri Albin Kurti është jotransparent lidhur me bisedimet me Serbinë dhe se kjo mund ta privojë atë nga mbështetja e saj.

Partitë opozitare ankohen se për zhvillimet e fundit në dialog, nuk kanë informacione zyrtare dhe se për to po njoftohen vetëm nga mediat.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi, thotë se Kurti po shkel mbi standardin e ndërtuar vetë për raportim para deputetëve për ecurinë e dialogut.

“Ne nuk jemi ata që refuzojmë çka do që vjen në tavolinë të deputetit opozitarë mirëpo ne jemi kundër asaj që transparencë të ketë zero, ne dojmë transparencë, ne duam me ditë saktë se çfarë përmban dhe çfarë pajtohet kryeministri në planin frako-gjerman, ne duam të dimë saktë se cilat janë qëndrimet që ne pranojmë një marrëveshje finale si Kosovë, jo vetëm si PDK dhe nuk kemi asnjë informatë të vetme nga kryeministri Kurti”, tha Musliu-Shoshi.

E Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja, teksa thotë se do ta ftojnë kryeministrin në raportim, kërkon nga ai që të jetë më i hapur me partitë opozitare.

“Kryeministri Kurti duhet me ditë që nuk është kryeministër vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje, është kryeministër i të gjitha qytetarëve të Republikës së Kosovës, Ata duhet ta dijnë se çfarë po ndodhë me Republikën e Kosovën, jo vetëm qeveria”, tha Krasniqi.

E derisa partitë opozitare ankohen për mostransparencë të Kurtit e janë në pritje të tij për të raportuar në Kuvend, shefi i ekzekutivit është në pritje të ftesës së tyre.

Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me kritikat e opozitës.

Opozitarët kanë edhe kushte të tjera, në mënyrë që Kurti të fitojë përkrahjen e tyre. Sipas tyre, marrëveshja me Serbinë duhet të ketë njohjen e ndërsjellë në qendër.