Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar të martën se ekipet e para mjekësore nga Kosova kanë arritur në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Vitia ka thënë se këto ekipe mjekësore po ofrojnë ndihmën e tyre.
“Dhimbje dhe trishtim nga tragjedia që ka goditur Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mijëra jetë të humbura. Tashmë ekipet e para mjekësore nga Kosova kanë arritur në zonat e prekura nga tërmeti për të ofruar ndihmën tonë, paralelisht siç e ndajmë edhe dhembjen për popullin mik të Turqisë. Bashkëndiejmë me të gjithë familjarët e prekur nga kjo tragjedi”, ka shkruar Vitia.
Ende nuk dihet nëse këto ekipe janë pjesë e trupave të FSK-së që janë autorizuar për të shkuar në operacion ndërkombëtar humanitar në Turqi.
Gjatë mbrëmjes të së hënës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.