Arbëri

Osmani në Mal të Zi: E ardhmja e vendeve tona është në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Mal të Zi është pritur me nderime shtetërore nga homologu i saj malazias, Millo Gjukanoviq.

Ajo ka shkruar në Facebook se e ardhmja e Kosovës dhe e Malit të Zi është në Bashkimin Evropian (BE).

“E ardhmja e vendeve tona është në Bashkimin Evropian dhe së bashku do të punojmë për të realizuar këtë synim të qartë. Me presidentin Gjukanoviq diskutuam për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve tona kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj raportet në mes të dy vendeve janë të ndërtuara mbi frymën e respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen euroatlantike.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në arritjen e këtij qëllimi ekzistencial, duke luftuar çdo përpjekje të atyre që kërkojnë të na pengojnë në këtë rrugëtim dhe tentojnë të minojnë progresin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani gjatë takimit tha se të dy shtetet duhet t’i kundërvihen tendencave të Rusisë dhe Serbisë, për ta destabilizuar rajonin.

Osmani e falënderoi Gjukanoviqin për kontributin e shtetit të tij gjatë vitit 1999, duke strehuar refugjatë nga Kosova.

“Të dy presidentët, kanë diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidentja theksoi se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pavarësimin e Malit të Zi, ndërkaq komuniteti malazez në Kosovë poashtu është pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit tonë, duke vazhduar kontributin e tyre për Kosovën sovrane me të ardhme të qartë euro-atlantike”, thuhet nga Presidenca.