Arbëri

Lajçak në Prishtinë për propozimin evropian, insiston në themelimin e Asociacionit

Miroslav Lajcak

Për të dhjetën herë me radhë, që nga shtatori, në Prishtinë, të hënën, ka qëndruar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak. Propozimi evropian për ecurinë e tij, Lajcak tha se ishte baza e diskutimit me kryeministrin Albin Kurti, derisa bëri thirrje edhe për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Hollësit për takimin me Lajcakun, kryeministri Kurti i ndau nga Prizreni. Sipas tij, në takimin me Vuciqin, që pritet të mbahet së shpejti, kanë lënë që të diskutohen cështjet e temat e caktuara që nuk i kanë diskutuar në Prishtinë me emisarin evropian.

Propozimi evropian për marrëveshjen Kosovë – Serbi ishte në qendër të diskutimeve që janë bërë të hënën, ka thënë emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Të hënën, ai është takuar me kryeministrin Albin Kurti. Takim Lajcaku ka zhvilluar edhe me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Diplomati sllovak tha se janë duke i bërë përgatitjet që takimi i radhës mes Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të jetë konstruktiv.

“Ne kemi diskutuar gjithçka. Ne kemi diskutuar për gjithçka që është në propozim. Ne kemi diskutuar gjithçka që është në agjendë të dialogut, por bazë për diskutimet e tona është propozimi evropian që unë e kam paraqitur në shtator. Ne duam të sigurohemi që do të lëvizim përpara në bazat e këtij propozimi dhe kur t’i sjellim dy liderët në Bruksel që takimi të jetë konstruktiv”, tha Lajçaku. 

Emisari i BE-së nuk pranoi të shpalosë se cili është pozicioni i BE-së karshi kushteve që kryeministri Kurti ka vënë në mënyrë që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.

 

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe e kam informuar z. Kurti për pozicionin tonë, por nuk dua ta bëj publike analizën ligjore për këtë çështje. Mendoj se ishte e dobishme që patëm këtë diskutim këtu. Çfarë duhet të përsëris sërish është se çdo gjë që është dakorduar në dialog duhet të zbatohet, kjo është se si normalizimi do të arrihet”, tha Lajçaku. 

Kurti nuk u deklarua pas takimit, por pak orë më vonë vizitoi një ndërmarrje në Prizren dhe foli edhe për takimin me Lajçakun.

 

“Gjatë kësaj dreke të punës shkëmbyem mendime, ide, qëndrime e propozime. Ishte një shkëmbim shumë i mirë. Gjithçka u zhvillua rreth propozimit të Bashkimit Evropian për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. Ne e pranojmë këtë propozimin të Bashkimit Evropian si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara”, tha Kurti. 

Shefi i Qeverisë paralajmëroi se takimi me Vuçiqin do të mbahet së shpejti, derisa tha se data pritet të vendoset nga ndërmjetësuesi i dialogut.

"Çështje e pyetje të caktuara kanë ngelur të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe me sekuencimin kohor, çka, si e kur? Prandaj këto kanë ngelur të diskutohen në takimet që kemi në Bruksel”, tha Kurti. 

Para se të takohej me Lajçakun, kryeministri Albin Kurti ka pritur ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë. Sipas njoftimit nga Zyra e tij, kushtet për Asociacionin, propozimi evropian e takimi i radhës në Bruksel, ishin temat për të cilat u diskutua.