Arbëri

Fëmijët e verbër pa kushte për mësim, shteti hesht e prindërit paguajnë

 

Ani se legjislacioni në fuqi për personat e verbër thekson se atyre duhet t’u sigurohen tekstet shkollore në teknikën akustike dhe digjitale nga institucionet e nivelit qendror, një gjë e tillë asnjëherë nuk u është ofruar. Prindërit detyrohet të paguajnë qindra euro për t’u ofruar asistencë fëmijëve të tyre të verbër të cilët vijojnë mësimin në shkolla të rregullta. E në nivelin universitar, përveç mungesës së teknikës akustike, studentët e verbër nuk kanë literaturë as në alfabetin Braille

Mungesa e teksteve akustike, ka vështirësuar procesin e mësimnxënies për nxënësit e verbër në institucionet arsimore të rregullta. 13-vjeçari, Leon Hasanaj, procesin mësimor e vijon në shkollën fillore të mesme të ulët “Pavarësia” në Prishtinë, me një asistente përkrah për t’ia lexuar mësimet e pyetjet gjatë testeve vlerësuese. Megjithëse është nxënës me sukses shembullor, mungesa e teksteve akustike e sintezës vokale në gjuhën shqipe, thotë se e ka penguar në pavarësimin personal.

“Asistentja qëndron me mua dhe m’i lexon mësimet, i shënon çka kemi detyra, m’i lexon pyetjet gjatë testeve vlerësuese”, ka thënë nxënësi i klasës së tetë.