Arbëri

Viktimat e Holokaustit kujtohen në Kosovë me thirrjet për paqe

“Kjo ditë përkujtimore është mundësi për të kujtuar ata që janë vrarë, të nderohen ata që kanë mbijetuar dhe ata që kanë rrezikuar jetën e tyre në mënyrë që të shpëtojnë të tjerët...”, ka thënë të enjten mbrëma ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit. Fotot: Driton Paçarada/KOHA
 

Me ndezjen e gjashtë qirinjve për gjashtë milionë viktimat e Holokaustit, ka përfunduar ceremonia e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, të enjten, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, ka thënë se është nder që për herë të parë të shënohet kjo ditë në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti – në ngjarjen ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues diplomatikë të shteteve më të fuqishme demokratike dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore – ka bërë thirrje për të mos harruar kurrë “por edhe: kurrë më”

Përtej nderimit të viktimave, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, në Prishtinë është bërë thirrje që të punohet për paqe. Të mbledhur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të pranishmit e kanë nisur ceremoninë me një minutë heshtje. Të enjten mbrëma para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve më të fuqishme demokratike dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore, ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, ka thënë se është nder që për herë të parë të shënohet Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit në Kosovë. Ajo ka bërë thirrje që të kujtohen e nderohen viktimat dhe të mbijetuarit e po ashtu të vazhdohet në hulumtimin e studimin e historive të gjashtë milionë të vrarëve.

“Kjo ditë përkujtimore është mundësi për të kujtuar ata që janë vrarë, të nderohen ata që kanë mbijetuar dhe ata që kanë rrezikuar jetën e tyre në mënyrë që të shpëtojnë të tjerët. E po ashtu edhe të vazhdojmë të punojmë që tmerret e kaluara të mos përsëriten”, ka thënë ambasadorja Ziv. Disa herë ka bërë thirrje që vazhdimisht të punohet për paqe duke mos harruar atë që ka ndodhur.