Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka pritur të enjten në takim njoftues kryeministrin Albin Kurti e ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ulja e pagave e stafit akademik me koeficientin e ri nuk u kualifikua si shqetësuese nga ta. Nagavci tha se do të këtë shtesa të tjera për të gjithë punëtorët në sektorin e arsimit, e theksoi se profesorët do të shpërblehen edhe në bazë të performancës
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, priti të martën në takim njoftues kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.
Për çështjet që u diskutuan në takimin që zgjati afër një orë, kryeministri Kurti nuk u deklarua. E, rektori Qerimi u shpreh se kanë diskutuar për ndryshimet që i ka planifikuar në Statutin e UP-së.
“Universiteti është institucion shumë i rëndësishëm dhe ne mendojmë që roli ynë siç ka qenë dhe do të jetë i rëndësishëm, dhe po e shohim se si rrethanat që po ndryshojnë dhe po transformohen, ne mund të ripërshtasim këtë institucion me një shërbim më të mirë për student, për stafin, për shoqërinë”, ka thënë Qerimi.
Sipas tij, u diskutua edhe për Ligjin e Pagave, meqë të mërkurën u publikua edhe vlera e koeficientit, që do të jetë 105 euro. Me këtë stafi universitar pësoi ulje të pagave për rreth 100 euro. Paga e një profesori të rregullt do të jetë 1.302 euro, nga 1 429 euro sa ishte për të angazhuarit me normë të plotë.
Megjithëse ka pësuar ulje në paga me vlerën e koeficientit të ri, stafi akademik i Universitetit të Prishtinës nuk ka adresuar ndonjë ankesë, ka thënë Qerimi.
“Ne nuk kemi marrë ndonjë ankesë institucionale. Ligji nuk ka prodhuar efekt, është proces sigurisht, ne jemi duke e studiuar Ligjin me kujdes. Ne e kuptojmë që Ligji kërkon edhe nxjerrjen e akteve zbatuese, nënligjore. Ministria e Arsimit dhe Ministria përgjegjëse për Financa të punojnë në zhvillimin dhe konspektimin e aktit nënligjor dhe ka shumë detaje të rëndësishme që do të përcaktohen aty”, deklaroi Qerimi.
E ministrja Nagavci ka thënë se profesorët do të shpërblehen edhe në bazë të performancës.
“Nuk ka vend për shqetësim sepse obligimi ynë si qeveri dhe detyra është që të sigurojë barazinë për të punësuarit në sektorin publik, përtej kësaj, natyrisht secili që e kryen punën e vet me përgjegjësi do të ketë shpërblim për këtë”, ka thënë Nagavci.
Punëtorët e sektorit të arsimit do të marrim edhe shtesa të tjera, në bazë të një legjislacioni sekondar që është duke u përpiluar nga Ministria e Arsimit së bashku me atë të Financave.
Nagavci foli edhe për punonjësit e arsimit parauniversitar, të cilët u ankuan se me ligjin e ri nuk do të marrin shtesa të veçanta prej 80 eurosh për kualifikim.
“Kërkesat ligjore për një mësimdhënës, të themi një mësimdhënës të shkollimit fillor, është që të kenë së paku Fakultetin e Edukimit, që nënkupton se ajo pagesë do të jetë brenda pagesës së tyre, sepse nuk e ke të përfunduar kualifikimin adekuat, as nuk mund të përfundosh me sukses punësimin si mësimdhënës”, ka thënë Nagavci.
Paga bazë e një mësimdhënësi në nivelin fillor pa përfshirë kualifikimin dhe përvojën është rreth 421 euro, ndërsa me koeficientin e ri do rritet në 588 euro. E për ata të nivelit të mesëm nga 459 euro, paga do të rritet në 609 euro. Drejtorët e shkollave të fillore do të përfitojnë rritje prej 156 eurosh. Ata të nivelit të mesëm, rreth 200 euro më shumë se rroga bazë e tanishme.
Përpos pagës bazë, punëtorët e sektorit të arsimit do të përfitojnë shtesa nga 0.5 dhe 0.25 për qind për vit nga përvoja e punës. Nëpunësit e arsimit parauniversitar mund të marrin shtesën edhe për licencë të avancuar.
Deri më tash kanë munguar mekanizmat e mirëfilltë për vlerësimin e mësimdhënësve për t’i pajisur me këtë licencë. Për të rregulluar këtë, Nagavci, paralajmëroi prezantimin e legjislacionit të ri.
“Ne jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet paralelisht, pothuajse është analizuar puna për Udhëzimin e ri Administrativ për Licencimin e Mësimdhënësve, besoj që është çështje ditësh që do të jetë në shqyrtim paraprak dhe dëgjim publik. Edhe pas kësaj natyrisht që janë edhe mekanizmat e tjerë që kupton edhe krijimin e ekipeve profesionale për vlerësimin e performancës, por edhe ndryshimin e metodologjisë së vlerësimit të performancës”, ka thënë Nagavci.