Kurti-opozitës: Ju keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por kjo nuk mund të bëhet

- 11:52Kurti-opozitës: Ju keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por kjo nuk mund të bëhet
- 11:39Kurti tregon kushtet për formimin e Asociacionit
- 11:28Selmanaj: Turp për Kurtin që ende nuk është distancuar nga deklaratat për Ivanoviqin
- 11:06Tahiri i uron Kurtit dhe ministrave rritjen e rrogës pas caktimit të koeficientit
- 10:57LDK-ja kërkon përkrahje për amendamentin për koeficientin
- 10:53Shala: Caktimi i koeficientit është jomeritor, duhet të jetë minimumi 120 euro
- 10:42Hiqet nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të KPMM-së
Kurti-opozitës: Ju keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por kjo nuk mund të bëhet
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se opozita ka dëshirë që të themelohet “Zajednica” por që sipas tij, kjo nuk mund të bëhet.
“Unë e kam të qartë që ju keni qejf me ua themelu ‘Zajednicën’, por ajo nuk kalon. ‘Zajednicën’ e keni pranu ju, por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatuar, e unë nuk ua zbatoj”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se sa i përket raportimit në Kuvend, ka shprehur gatishmërinë që të diskutojnë kurdo që dëshiron opozita.
“Kurdo që dëshironi unë jam i gatshëm. Sa i përket neneve, unë i kam takuar krerët opozitarë ndaras, por sa i përket diskutimit në Kuvend ju takon juve ta ftoni, a unë i kam ftuar krerët opozitare. Unë nuk dua të ndërmarr hapa që do ta dëmtonin Kosovën për çështjen e konfidencialitetit por Kuvendi i Kosovës është mbi të gjitha. T’ua bëj të qartë edhe njëherë përveç Kushtetutës dhe ligjit janë edhe pesë kushte të tjera”, ka thënë ai.
Kurti lidhur me raportimin i është përgjigjur deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se opozita e dikurshme kur ishte pjesë e saj edhe VV-ja kishte bërë rezolutë për raportimin e kryeministrit për dialogun.
“Në këtë Kuvend LDK dhe VV kanë bërë rezolutë që i kërkon qeverisë para çdo diskutimi të raportojë vetë në kuvend. Ju e keni propozuar. Konfidencialiteti, a na tregon çka është ai, se kur ish-kryeministrat thoshin kështu ju i quanit tradhti. Kryeministër mos harro se për kauzën tënde kanë vdekur njerëz”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i është drejtuar Kurtit se po diskutohet për qëndrimin e tij në raport me Asociacionin.
"Kryeministri sot na e dha një lajm që e fut Kosovën në një drejtim të ri e cila do ta themelojë asociacionin. Duket një koordinim i mirë mes dy liderëve, kryeministrit tonë dhe presidentit Vuçiq. Të gjitha çështjet tjera janë të parëndësishme ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal në diskursin e kryeministrit dhe në drejtimin që po i bën Kosovës. Para pak çastesh deputeti i LVV na pyeti a jemi me Zajednicën, kësaj pyetjeje iu përgjigj kryeministri".
Teksa Kurti i ka thënë se ndryshimin e tij e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.
“I nderuari deputet Tahiri, ndryshimin tim e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e vitit 2025. Ndërkohë unë ju falënderoj që kur e morët fjalën nuk e thatë asnjërin nga kushtet që duhet të hiqet. D.m.th, ju pajtoheni dhe për këtë ju falënderoj”, ka thënë Kurti.
Tutje ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për t’i vendosur gjashtë kushtet që përmendi më herët për t’ia vendosur, siç thotë ai, atyre që kanë kërkuar Asociacionin.
“Këto gjashtë kushte nuk ua kam vënë juve, por po kërkoj mbështetjen tuaj për t’ua vënë atyre qe e kanë kërkuar Asociacionin. Meqë s’pati propozime konkrete, ju falënderoj qe u pajtuat me to”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit këmbënguli se është transparent sa i përket procesit të dialogut, pavarësisht kritikave të opozitës se është e kundërta.
Deputetja e AAK-së i rekomandon Kurtit të shkojë në “Big Brother”
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i ka rekomanduar kryeministrit Albin Kurti të shkojë në reality show “Big Brother”.
Sipas Kadrijajt, Kurti po bën ‘show’.
“Ti bëre ‘show’, u talle me deputetët. Të rekomandoj të shkosh në Big Brother”, ka thënë Kadrijaj duke aluduar në deklaratat e Kurtit për Asociacionin të enjten.
Deputetja Ganimete Musliu, ka thënë se Kurti i ka harruar Arben Xheladinin, Mon Balajn e Astrit Deharin.
“Albin bëj çka të duash me ‘Zajednicën’. I ke numrat, je i mençur, inteligjent i din përgjegjësitë, por po ta jap një këshillë. Kur ta nënshkruash mos e harro Arben Xheladinin, Mon Balajn e Astrit Deharin. Mos i harro, se i ke harruar qe dy vjet”, ka thënë ajo.
Kurti tregon kushtet për formimin e Asociacionit
Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se në të gjitha takime e deritanishme të organizuara me ndërmjetësim amerikan ka potencuar në vazhdimësi përkushtimin që sa më shpejtë të jetë e mundur të arrihet dakordimi për propozimin franko-gjerman.
Ai ka thënë se këtë propozim e shohin si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe janë të interesuar të punojnë intensisvisht që të nënshkruhet nga palët.
Kurti ka thënë se kërkojnë nga Zyra e Borellit që sa më parë t'i ftojë palët në takime të rregullta e të shpeshta.
“Jam i gatshëm që me konstruktivitetin maksimal të kontribuoj. Pika e dhjetë e propozimit për marrëveshje bazë i dedikohet zbatimit të marrëveshjeve dhe në kuadër të këtij neni përfshihet edhe ajo e Asociacionit. Çfarëdo tentative që marrëveshjet që nxirren si parakushte për të ecur përpara janë të pakuptimta. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i ruan si vlerë shoqërore. Sa i përket Asociacionit ky është qëndrimi ynë. Asociacioni i dalë nga marrëveshja Thaçi-Daqiq si mekanizëm i tillë mund të konsiderohet vetëm nën këto kushte”, ka thënë ai.
Sipas tij, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe sipas tij nuk mund të jetë monoetnik.
Sipas tij duhet të ndërrojë emri dhe nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave.
Ai ka thënë se të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit në të dy shtetet.
Kurti ka shtuar se para vendosjes së Asociacionit strukturat ilegale në Serbi shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Presidenti i Serbisë i tërheqë letrat e dërguara te 5 shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e Kosovës në BE”, ka thënë ai.
Abdixhiku: Sot, kryeministri e pranoi Asociacionin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se data e sotme duhet të mbahet mend pasi kryeministri Albin Kurti e pranoi se Asociacioni i komunave serbe mund të bëhet.
Abdixhiku iu referua një deklarate të Kurtit në Kuvend.
“Besoj kjo datë e sotme, 2 shkurt 2023, është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri. Nuk po them mirë a keq, por po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e vitit 2013, që tani është obligim ndërkombëtar, është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është. Problemi i kryeministrit është se si ua shpjegon deputetëve këtë ndryshim. Një gjë që jemi pajtuar të gjithë është që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj”, ka thënë Abdixhiku në Kuvend.
Këtij fjalimi iu kundërpërgjigj Kurti që ka thënë se Abdixhiku po i redukton gjashtë kushtet në vetëm një kusht, por kreu i LDK-së ka thënë se e rëndësishme është se prapë Kurti në thelb nuk e mohoi pranimin e Asociacionit.
Selmanaj: Turp për Kurtin që ende nuk është distancuar nga deklaratat për Ivanoviqin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se është bërë zakon publik që aferat të jenë të shpeshta, që sipas tij, ta zënë njëra-tjetrën e të mos mund të flitet për to.
Ai ka thënë se janë bërë dy jave prej kur kryeministri Albin Kurti e ka glorifikuar Oliver Ivanoviqin.
Selmanaj ka shtuar se edhe pas dy jave nuk ka distancim e kërkimfalje për këtë akt të cilin e ka quajtur të shëmtuar.
“Për fakt të keq nuk ka distancim as nga presidentja e deputetët e mazhorancës. Ivanoviqi mund të jetë i tillë vetëm për Kurtin, Osmanin e Konjufcën, por për të gjithë shqiptarët ai ka mbetur vetëm një kriminel që vrau civilë shqiptarë. Thirrja e kryeministrit që ta ruajmë kujtimin për të është thirrja më e shëmtuar. Edhe pse dëmi është bërë dhe mohimi i viktimave të tij nga vetë kryeministri, u bëj thirrje juve deputetëve të distancoheni publikisht. Ne si LDK do të marrim një iniciativë me të cilën do të ndërmarrim një akt përmes së cilit distancohemi nga ky deklarim i turpshëm”, ka thënë ai.
Tahiri i uron Kurtit dhe ministrave rritjen e rrogës pas caktimit të koeficientit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka uruar kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij, rritjen e pagës pas caktimit të koeficientit.
Ai ka thënë se zbritja e pagës së profesorit, gjyqtarit e prokurorit është e papranueshme.
“Lexuam një raport shqetësues të ambasadorit kosovar në Amerikë, një raport që tregon gjendjen e mjerueshme të ambasadorit dhe trajtimin e tij brutal nga Amerika. Shtrohet pyetja se çka e ka sjellë një brutalitet të tillë të Amerikës ndaj ambasadorit të Kosovës atje. Si kemi arritur të vihemi në pozita të tilla?”, ka thënë ai.
Ai ka thënë që Qeveria duhet të reflektojë karshi këtij bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka folur edhe për Asociacionin.
“Kryeministri sot na e dha një lajm që e fut Kosovën në një drejtim të ri e cila do ta themelojë Asociacionin. Duket një koordinim i mirë mes dy liderëve, kryeministrit tonë dhe presidentit Vuçiq. Të gjitha çështjet tjera janë të parëndësishme. Ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal në diskursin e kryeministrit dhe në drejtimin që po i bën Kosovës. Para pak qastesh, deputeti i VV-së na pyeti a jemi me Zajednicën dhe kësaj pyetjeje iu përgjigj kryeministri”, ka thënë Tahiri.
LDK-ja kërkon përkrahje për amendamentin për koeficientin
Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se LDK-ja e shpreh shqetësimin për vlerën e koeficientit. Ajo ka thënë se Qeveria ka dalë me statistika të pasinqerta.
Ndërkohë, në emër të LDK-së ka kërkuar përkrahje në amandamentin për koeficientin prej 125 euro.
“Qeveria nuk i tregoi policit që nuk i paguhet shtesa, mësimdhënësve nuk i paguhet shtesa. Të gjitha llojet e shtesave janë prej deri në 1 për qind të buxhetit për paga. Për të gjitha shtesat për punën jashtë orarit një mjek që punon si kujdestar 82 euro më shumë mund të paguhet gjatë gjithë vitit. Përmes Ligjit të Pagave është ndërhyrë në sektorin e drejtësisë. Është ulur paga e profesorëve në Universitetin e Prishtinës. Vetëm një ditë pasi UP-ja u rendit për 262 pozita më lart. Me këtë koeficient nuk kemi rritje reale të pagave, mund të kemi një rritje nominale që nuk e adreson inflacionin. Ne e kemi analizuar buxhetin dhe LDK-ja propozon 125 euro koeficient. Ftojmë që ta përkrahni amandamentin tonë”, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë se përkundër krizës së rritjeve të çmimeve, Qeveria nuk ka marr parasysh asnjë nga masat që LDK-ja i ka propozuar.
Qytetarët e këtij vendi po përballen me krizën më të thellë ekonomike të vendit. Në fillim të vitit të kaluar ndodhi ngritja e çmimit të energjisë më pas derivateve e të gjitha artikujve tjerë. Sot ka rritje enorme të çmimeve për produkte bazë. LDK përgjatë 12 muajve të fundit ka propozuar masa për energji për inflacion për indeksim të pagave pensione nuk janë marrë parasysh. Asnjëherë nuk kemi propozuar të ulen tatimet e të rriten pagat por… Kemi pritur që kriza ekonomike të përcaktohet në koeficientin e pagave.
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka thënë se Qeveria është në rrugën e duhur për ndaljen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
“Po bëhen gati dy vjet për një qeverisje me mirëqenie e drejtësi pa asnjë skandal. Krimi dhe korrupsioni kanë qenë probleme endemike të cilat qeveria po i lufton në mënyrë sistematike. Kjo punë e ndershme po reflektohet në raportet ndërkombëtare. Dikur dilnim të fundit sot prijmë në rajon për progres në sundimin e ligjit. Lufta e qeverisë Kurti kundër korrupsionit ka qenë edhe arsyeja për liberalizimin e vizave. Ka ende pakënaqësi disa kanë humbur privilegjet, disa tenderët, ky është vetëm fillimi dhe jemi në rrugën e duhur”, tha Basha.
Shala: Caktimi i koeficientit është jomeritor, duhet të jetë minimumi 120 euro
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se shqetësuese mbeten dy çështje, njëra për vlerësimin e pronave dhe tjetra për koeficientin.
Ai ka thënë se vlera e koeficientit, minimum duhet të jetë 120 euro.
Sipas Shalës, në kohën e krizës më të madhe ekonomike në vend kur ende nuk ka rritje të pagës minimale, Qeveria goditi qytetarët me 90 për qind rritje të tatimit në pronën e paluajtshme.
“Qeveria të krijojë mundësi për rishikimin e tërësishëm të ligjit. Caktimi i koeficientit është jomeritor për qytetarët e vendit. Ky koeficient nuk zgjidh problemin e përfituesve. E paarsyeshme është goditja që i bëhet sektorit të sigurisë. Stimulon të rinjtë ta lënë Kosovën. Ne si GP i PDK-së propozojmë qe vlera e koeficientit të jetë minimum 120 euro”, ka thënë ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka folur lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në seancën e Kuvendit e cila po mbahet të enjten.
Ai ka thënë se “tani e duan ‘Zajednicën’ sa që po thonë pa të do të mbetemi të izoluar”.
“Me çka u çlirohet mendja e shpirti këtyre njerëzve nga kushtet e (presidentit serb Aleksandar) Vuqiçit. A mund të na tregoni a jeni për Zajednicën. A doni të jemi unikë. Le të qëndrojmë bashkë t’i themi jo Zajednicës”, ka thënë ai.
Hiqet nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të KPMM-së
Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje është hequr nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Ajo ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo të caktohet për një seancë tjetër.
“Kjo sepse komisioni funksional e ka edhe një procedurë që duhet ta zbatojë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Kjo pikë do të caktohet në një seancë tjetër”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka akuzuar për korrupsion Qeverinë duke thënë se vetë e ka emëruar bordin që tash po kërkon ta shkarkojë.
“Kur keni ardhur në qeverisje keni thënë që do të ketë zero korrupsion. Tash një bord qe vetë e keni emëruar po dëshironi ta shkarkoni për korrupsion. Keni skandale të korrupsionit më shumë se secila qeveri e kaluar”.
Kurse, kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se veprimin lidhur me shqyrtimin për shkarkimin e bordit e sheh më shumë “si luftë kundër korrupsionit”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Hasani: Serbia s’do të ndalet derisa ta shtrijë sovranitetin formal në Kosovë

Hasani: Norvegjia për një fjalë goje të ministrit humbi territor në Grenlandë sa dhjetë Kosova

Institucioneve u kërkohet shtim i përpjekjeve për siguri afatgjatë të resurseve ujore

Raporti i DASH-it për Serbinë: Shqiptarët në Luginën e Preshevës subjekt i diskriminimit

Nxënësit mësojnë për menaxhimin e parasë dhe kulturën e të kursyerit

Posta e Kosovës s’shpërndan dërgesa në veri, gjykatat i kërkojnë ndihmë Policisë

DASH: Korrupsioni qeveritar dhe dhuna me bazë gjinore, ndër problemet kyçe në Kosovë

Borrell: Marrëveshja krijon status-quo të re në dialog, Asociacioni urgjencë

Hoti: Pika për të zhdukurit u refuzua mbi 4 herë, Deklarata të nënshkruhet ditët në vijim

Deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë hero, ia shpëton jetën një foshnje në Mal të Zi

Kohavision me njoftim për abonuesit e platformës “KUJTESA”
