1 perditesime
23:40

Dobra demanton Sefajn: Asnjëherë s’u premtua koeficienti prej 120 eurosh

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, e ka demantuar përfaqësuesin e Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, se ministrat Hekuran Murati e Arbërie Nagavci, u kanë premtuar grevistësve të sektorit publik vitin e kaluar se vlera e koeficientit do të jetë 120 euro.

Dobra ka thënë të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së se duke e njohur ministrin Murati, nuk beson që ai do të deklaronte një gjë të tillë.

“Duke e njohur ministrin Murati dhe saktësinë e tij, jam i sigurt që një deklaratë e tillë nuk qëndron për shkak se ministri Murati ka pritur nga Ministria e Punëve të Brendshme që të definohet shuma e koeficientëve në mënyrë që të definohet vlera monetare e koeficientit”, ka thënë Dobra.

I pyetur për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, Dobra ka thënë se në vitin e parë të hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, ulja e pagës nuk do ta prekë askënd.

Sipas tij, ata që e shohin pagën e tyre më të ulët se që e kishin më parë, do ta marrin pagën e vjetër për një vit.

“Vitin e parë të gjithë ata që potencialisht e shohin pagën e tyre më të ulët, do ta marrin pagën e vjetër, nuk preket pagat e askujt në ulje në vitin e parë”, ka thënë Dobra.

Ai ka thënë se nuk është pak që të rritet për 105 euro çeku për paga, siç është bërë me vendim për vlerën monetare të koeficientit të pagave për sektorin publik.

“Jo vetëm që po e ulim atë hendekun, pabarazitë mes atyre më të privilegjuarve dhe që marrin paga më të larta dhe atyre që janë poshtë piramidës. Jemi munduar që ky ligj të reflektojë përgjegjësinë që çdo qytetar ka në punën e tij”, është shprehur ai.

Dobra e ka mohuar se ka munguar transparenca gjatë hartimit të Ligjit të Pagave.

 

23:27

Dobra: Me ligjin e ri paga mesatare në sektorin publik do të rritet në 768 euro

Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka deklaruar se aktualisht paga mesatare në sektorin publik është 659 euro, ndërsa me ligjin e ri të miratuar nga Qeveria, pritet që mesatarja të rritet në 768 euro, apo 110 euro më shumë.

I ftuar të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, Dobra ka thënë se me ligjin që është ende në fuqi, paga më e lartë është 20 herë më e madhe sesa ajo më e ulët në këtë sektor dhe se me ligjin e ri nuk do të ketë dallime të tilla.

“Ligji është hartuar në mënyrë të tillë që respekton aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikat më të mira. Sot për shkak se ligji ende nuk zbatohet, paga më e lartë është 20 herë më e lartë sesa ajo më e ulëta. Me ligjin që ne e kemi sjellë, që e kemi miratuar dhe që do të fillojë së zbatuari, ky dallim do të zbresë në 4.78 herë. Në vendet e BE-së kemi parë statistika të ndryshme, mesatarja është diku 7. Paga mesatare në sektorin publik është 659 euro, ndërsa me ligjin e ri, paga mesatare do të jetë 768 euro, kemi një rritje prej 110 eurosh”, ka thënë ai.

Dobra ka shtuar se koeficienti i prezantuar të mërkurën është paga bazë e zyrtarëve publikë, ndërsa kësaj page do t’i shtohet edhe shtesa për përvojën e punës dhe shtesa të tjera.

“Kjo është paga bazë. Pagës bazë do t’i shtohet edhe shtesa për përvojën e punës dhe shtesa të tjera që zyrtarët mund t’i marrin sipas legjislacionit në fuqi. P.sh mjeku që vendos t’ia dedikojë karrierën e vetë shërbimit publik dhe mos të punojë në sektorin privat, ai do ta ketë një shtesë deri në 25 për qind të pagës. Për shkak të shtesës për përvojë të punës, dikush që ka 20 vjet përvojë pune, do ta ketë koeficientin 111.6, pra nuk mbetet 105 sa ka qenë. P.sh në Polici, përvoja mesatare është 18 vjet”, është shprehur ai.