Arbëri

Spanca: Rreth 800 mijë euro humbje nga dështimi i AKP-së që të ruajë vlerën e pronave me qira

Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar të rrisë dhe të ruajë vlerën e pronave dhe aseteve të cilat i ka nën administrimin e saj, duke thënë se 40 për qind të mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi dhe se humbja potenciale nga ky keqmenaxhim është rreth 800 mijë euro.

E ftuar të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Spanca ka thënë se kjo vlerë mund të jetë edhe më e lartë për shkak se nuk është bërë hulumtimi i çmimit të tregut.

“Ajo se çka kemi gjetur ne është se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar të rrisë dhe të ruajë vlerën e pronave dhe aseteve të cilat i ka nën administrimin e saj. Rreth 40 për qind të mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi dhe humbja potenciale nga ky keqmenaxhim, qoftë për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të agjencisë është rreth 800 mijë euro. Kjo vlerë mund të jetë edhe më e lartë për shkak se ne këtë e kemi nxjerrë duke bërë krahasimin me kontratat e ngjashme që ka pasur vetë agjencia, mirëpo sikur të bëhej hulumtimi i çmimit të tregut atëherë vlera e humbjeve potenciale do të jetë edhe më e madhe”, ka thënë Spanca.

Në 12 raste të cilat Spanca ka thënë se i kanë identifikuar nuk ka pasur fare hulumtim të çmimit të tregut dhe në rast se i marrin kontratat e ngjashme në zonat e njëjta, në njërin prej rasteve ka rezultuar se AKP-ja do të duhej të inkasonte të hyra 277 mijë euro më shumë se që ka inkasuar.

“Ajo që është me rëndësi është se nuk iu kanë nënshtruar parimit të konkurrencës së lirë, nuk kanë qenë transparente dhe nuk kanë arritur vlerën për para. AKP-ja ka lidhur kontratë me uzurpuesit apo shfrytëzuesit e paligjshëm pa iu nënshtruar konkurrencës së lirë”, ka thënë më tej ajo.

Ajo ka përmendur një rast që lidhet me ndërmarrjen e re “Grand Hotel”, ku thotë se janë shfrytëzuar 1500 metra katrorë shtesë nga bizneset dhe humbja potenciale për shkak të mosinkasimit të të hyrave sipas metrave katrorë të shfrytëzuar është rreth 500 mijë euro.

“Po e marrim ndërmarrjen e re ‘Grand Hotel’, ku që nga viti 2015 AKP-ja u ka dhënë me qira bizneseve të ndryshme hapësirat brenda Grandit si dhe parkingun, në vitin 2022 është bërë matja gjeodezike dhe nga ajo matje e cila është iniciuar nga vetë AKP-ja, ka rezultuar se janë diku rreth 1500 metra katror shtesë që kanë qenë duke u shfrytëzuar por për to nuk është paguar. Si duket arsyetimi ka qenë për shkak të rinovimeve që janë bërë dhe janë shfrytëzuar disa kthina, por nuk po flasim për kthina por për 1500 metra katrorë shtesë e që humbja potenciale për shkak të mosinkasimit të të hyrave sipas metrave katrorë të shfrytëzuara është rreth gjysmë milioni euro”, ka thënë ajo.

Sipas Spancës, kjo tregon mungesë totale të kontrollit të AKP-së lidhur me trajtimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore.

Ajo ka shtuar se në të ardhmen e afërt do të fillojnë me auditimin e pronave edhe në nivel lokal.