Arbëri

Opozita akuzon VV-në për “kapje të RTK-së”

Descriptive Text

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosjen, se e ka “kapur” televizionin publik të Kosovës (RTK) me zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor të ri të kanaleve shqip të RTK-së.

Sipas PDK-së, kryeministri Ablin Kurti e ka instaluar nga sot militantin shumëvjeçar të VV-së si drejtor të RTK-së.

“Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës. Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Me këto emërime, siç ka thënë PDK-ja, RTK-ja nuk do të jetë më në shërbim të publikut, por do të përdoret si megafon i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, “ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre partiak”.

“Nëpërmjet kapjes së Radio Televizionit Publik të Kosovës me militantë partiak; pushteti po synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila frikësohen më së shumti. Prandaj, nëpërmjet instalimit të militantit Rilind Gërvalla si drejtor, kryeministri Albin Kurti po synon që ta përdorë RTK-në për propagandë dhe agjitacion të llojit “Çka ka, çka s'ka”, për të shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën e keqqeverisjes së tij. As kërkesat shoqërore për transparencë e meritokraci dhe as thirrjet e asociacioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile për mos politizim të transmetuesit publik, nuk arritën ta ndalin hovin e projektit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për kapjen e RTK-së”, vijon reagimi i tyre.

PDK-ja ka vlerësuar se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

Ndërkohë, LDK-ja ka konsideruar si tendencë të pushtetit për ta institucionalizuar propagandën politike në kanale publike të informimit zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK).

LDK-ja në një reagim për media të martën ka kërkuar që procesi i përzgjedhjes për drejtor të RTK-së për kanalet shqip të anulohet menjëherë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit. Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas partisë së dytë më të madhe opozitare, qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur, pasi konsiderojnë se “kapja e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik”.

“Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve”, vijon reagimi i LDK-së.

LDK-ja ka paralajmëruar se do ta ngre temën e kapjes së institucionit të televizionit publik në Komisionin përkatës parlamentar të Kuvendit.

Zgjedhjen e Gërvallës e kritikoi edhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Ajo tha se kjo është kapje e pjesës informative në RTK.

Sot, Bordi i RTK-së zgjodhi Gërvallën si drejtor të kanaleve shqip. Gërvalla po akuzohet se ka qenë aktivist i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, ai i ka mohuar të gjitha akuzat.