Arbëri

Bajrami: Kosova nga 2017-a u ngrit për vetëm një pozitë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022.

Interpretimet që i kanë bërë zyrtarët qeveritar këtij raporti, nga Bajrami janë cilësuar si propagandë.

“Propaganda nuk kalon! Që nga viti 2017 Kosova në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare ‘Transparency International’ është ngritë për vetëm një pozitë më lart, d.m.th. nga pozita 85 (2017) në 84 (2022) dhe ka shënuar vetëm 2 pikë me shumë nga 39 (2017) në 41 (2022) nga 100 të mundshme”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Sipas saj Kosova në vitin 2017 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit sipas raportit të “Transparency International” ka qenë e renditur në pozitën e 85 nga 180 vende dhe ka shënuar 39 pikë nga 100 të mundshme.

“Kosova në vitin 2022 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit sipas raportit të organizatës ndërkombëtare ‘Transparency International’ renditet në pozitën e 84 nga 180 vende dhe ka shënuar 41 pikë nga 100 të mundshme”, ka shkruar Bajrami.

Sipas raportit në një matës nga 0 deri në 100 pikë, Kosova ka grumbulluar 41 pikë në luftën ndaj korrupsionit. 100-shi është vlera për vendin shumë të pastër nga korrupsioni. Në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit, Kosova radhitet në vendin e 84-t me 41 pikë, dy më shumë se vitin e kaluar. Ky është niveli më i lartë i pikëve në 10 vjetët e fundit për Kosovën, megjithatë TI thekson se Kosova vazhdon të mos e ketë nën kontroll korrupsionin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Kosova për dy vite u ngrit për 20 vende në renditjen për luftimin e korrupsionit. Ai të martën shkroi në Facebook se shoqëria kosovare ka potencial për të lëvizur me shpejtësi, derisa tha se potenciali ishte mohuar “nga elitat politike të korruptuara”, që sipas Kurtit, “e vodhën të ardhmen e fëmijëve”.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar duke thënë se ky është rezultati më i mirë ndonjëherë. Haxhiu ka shkruar në Facebook se ky është motiv shtesë për angazhimin e secilit në rrugën e pa kompromis në luftën kundër korrupsionit.