Deputetë e zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë shprehur kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tyre themelimi i një Asociacioni njëetnik është në Kundërshtim me Kushtetutën.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi ka shkruar për kolumnën se këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në të cilën ata kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit.
“Escobar dhe Chollet në një shkrim autorial na treguan se çka do të jetë Asociacioni: Ata thanë që Asociacioni do të kryejë funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse. Pra, në të njëjtin tekst, në njërën anë, na thanë se si Asociacioni nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, kurse në anën tjetër na thanë që Asociacioni do të kryejë funksionet e për të cilat janë përgjegjëse komunat”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Sipas tij është evidente që Asociacioni do t’ua marrë kompetencat komunave për t’i ushtruar ato vetë. “Kjo është pikërisht një shtresë e re e pushtetit mes qeverisë qendrore dhe asaj komunale”, ka shkruar ai.
Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka theksuar se Asociacioni, në çdo format të tij, do të thotë territorializim i të drejtave dhe instrumentalizim i serbëve në Kosovë dhe se ai është kërkesë dhe synim i Serbisë.
“Nuk është për serbët e Kosovës. Është kundër Kosovës. Nuk i avancon të drejtat e serbëve. Avancon ndikimin e Serbisë në Kosovë. Nuk i integron serbët. I ndanë dhe i izolon ata. Bashkëjetesa, jo izolimi, është vlerë perëndimore. Kështu na është thënë në dy dekadat e fundit. Kështu vazhdojmë të besojmë edhe sot”, ka shkruar Muja në Facebook.
Edhe deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, ka shtruar “dy pyetje për insistuesit e Asociacionit”. Nëse Asociacioni nuk është organizatë joqeveritare (OJQ) që bazë ligjore ka nenin 44 të Kushtetutës, çka është edhe vendim i Gjykatës Kushtetuese, ku tjetër do ta ketë bazën kushtetuese Asociacioni dhe kujt do t'ia marrë kompetencat sepse në shtetin e Kosovës pushtetet e ndara i kanë kompetencat e veta? Nëse Asociacioni është OJQ, pse duhet qeveria të themelojë OJQ?”, ka shkruar Pacolli.
Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se pa Asociacion, për dy vjet janë parë struktura kriminale të dirigjuara nga Serbia duke vendosur barrikada, plagosur policë e duke kërcënuar qytetarë.
Në një shkrim në Facebook ai ka pyetur se si mund të kërkohet themelimi i Asociacionit pa u shpërbërë strukturat kriminale në veri, pa u çarmatosur, pa dorëzim të armëve dhe pa kthim të mijëra qytetarëve në shtëpitë e tyre.
“Pa asociacion, pa asnjë kompetencë shtesë, vetëm për këto dy vite kemi parë struktura kriminale të dirigjuara nga Serbia tek vendosin barrikada, plagosin policinë, kërcënojnë qytetarët që bashkëpunojnë me institucionet e vendit. Imagjinoni këtë gjendje me një asociacion. Pra, si mund të kërkohet asociacion pa shpërbërje të strukturave kriminale në veri, pa çarmatosje, pa dorëzim të armëve, e pa kthim të mijëra shqiptarëve në shtëpitë e veta”, ka shkruar Rexhaj.
Kundër themelimit të Asociacionit është shprehur edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
“Asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive, përmbysë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sallahu.
Në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, me dyer të mbyllura është duke u mbajtur një diskutim për çështjen e themelimit të Asociacionit. Në këtë takim nuk është duke marr pjesë kryeministri Albin Kurti por anëtarë të kabinetit të tij. Kurti ka deklaruar ditë më parë se është kundër Asociacionit njëetnik.