Sekretari i Organizatës së Pensionistëve të Kosovës, Asllan Asllani, deklaroi se duhet ndërruar forma e paraqitjes së pensionistit për të dëshmuar se është gjallë, për të marrë pensionin.
Ai tha se paraqitja në Administratën e Pensioneve çdo gjashtë muaj është procedurë e mundimshme, e kjo sipas tij, mund të bëhet një herë në vit.
Sipas Asllanit, pensionistët nuk kanë mundësi fizike të lajmërohen kaq shpesh, ndërsa tha se shteti duhet të mendojë edhe rritjen e pensioneve.
“Mosha jonë, e treta, s’e ka mundësinë fizike të shkojmë të lajmërohemi çdo 6 muaj në Administratën e pensioneve. Po të kishte pensionisti pensionin e madh, do të kryente të gjitha nevojat e veta, për ushqim, pirje e ilaçe, e do të kishte para edhe për taksi për të shkuar... Por nëse duan, munden që t’ia dërgojnë postierin në shtëpi, mund ta bëjnë 1 herë në vit, e jo 6 muaj”, deklaroi ai.
Asllani u shpreh se ndodh që pensionistët për shkak të moshës të harrojnë të deklarohen, e kjo siç tha ai, bën që pensioni t’u ndërpritet.
“Është ngarkesë kjo, por është edhe harresa problem. Pensionist harron të shkojë brenda 6 muajve, ata e shlyejnë dhe mbetën pa pension. Kur ishte pandemia, thanë se s’ke nevojë për të shkuar...Nuk janë lajmëruar njerëzit, dhe kanë mbetur pa e marrë pensionin. Nëse pensionisti nuk shkon të lajmërohet për pension, ai mund të mbetet pa të pasi Buxheti e parasheh ndarjen e parave në fund të vitit”, u shpreh ai.
Problematike për të është edhe tërheqja e pensionit nga bankomati, pasi mund t’i rrezikojë pensionistët nga hajdutë e rrugës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.