Arbëri

Opozita në Serbi fton Vuçiqin ta hedhë poshtë në tërësi propozimin e BE-së

Descriptive Text

Ndryshe nga opozita në Kosovë që i ka dhënë përkrahje Qeverisë të pranojë planin -franko-gjerman, ajo në Serbi ka ftuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që ta hedhë poshtë në tërësi. Katër parti, përfshirë edhe atë të ish-presidentit serb, Boris Tadiq, e kanë quajtur planin kundër-kushtetues që duhet të mos pranohet, pavarësisht pasojave. Qëndrimi i këtyre partive u shpalos pak ditë pasi Vuçiqi paralajmëroi se do t’i ftojë deputetët e partitë opozitare për konsultime

Disa parti opozitare, shoqata e lëvizje në Serbi, kanë kërkuar nga presidenti i tyre Aleksandar Vuçiq, që ta hedhë poshtë planin franko-gjerman për arritjen e marrëveshjes me Kosovën.

Një prej partive që ka kundërshtuar planin është edhe ajo e ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, Partia Socialdemokrate.

Tadiq tha të shtunën për gazetën “Nova”, se sa ishte në pushtet ai kishte refuzuar edhe Marrëveshjen e Brukselit.

“Nga ajo që kam parë deri tani dhe çfarë është shfaqur në publik, nuk do ta firmosja. Dhe ndryshe nga të tjerët, këtë nuk po e them në mënyrë demagogjike, por qëndroj pas veprave të mia. Unë nuk pranova ta nënshkruaj atë që më vonë u nënshkrua nga kjo qeveri, Marrëveshjen e Brukselit”, tha Tadiq.

Po të shtunën, në një konferencë të përbashkët, disa parti të tjera opozitare serbe kanë kërkuar që plani të hidhet në tërësi dhe të vlerësohet si një ultimatum, që nuk bën të pranohet, pavarësisht pasojave.

Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, pjesë e koalicionit “Shpresa”, Milosh Jovanoviq, tha se propozimi është kundërkushtetues dhe se pranimi i tij përbën tradhti ndaj serbëve.

Kryetarja e partisë “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, planin e quajti ultimatum dhe ftoi Vuçiqin, siç tha ajo, të mbrojë kufijtë e Serbisë.

E lideri i lëvizjes “Dveri”, Boshko Obradoviq, tha se duhet të shihen pasojat nëse pranohet plani e jo nëse nuk pranohet.

“Jemi sot këtu për t'u bërë thirrje të gjithë deputetëve të parlamentit dhe gjithë publikut në Serbi që bashkërisht të refuzojnë propozimin gjermano-francez, i cili është kthyer në një propozim dhe ultimatum evropian, amerikan dhe të NATO-s, që Serbia të heqë dorë nga toka e saj e shenjtë. Absolutisht e papranueshme për ne”, deklaroi Obradoviq.

Qëndrimi i partive opozitare në Serbi u shpalos pak ditë, pasi Vuçiqi paralajmëroi se do t’i ftojë të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare për konsultime dhe për t’i njoftuar me mesazhet që ka marrë nga pesëshja euro-amerikane që para një jave qëndroi në Prishtinë e Beograd.

Vuçiqi përmendi izolimin e Serbisë dhe humbjen e investimeve të shteteve perëndimore nëse nuk pranohet plani i Bashkimit Evropian.