Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar se Ministria e Financave të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fondit të patundshmërive dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të vitit paraprak.
LDK-ja po ashtu ka kërkuar ligjin e ri për tatim në pronë dhe që MF-ja ta bëjë rishikimin e procesit të rivlerësimit të pronave. Këto kërkesa do të paraqiten edhe si rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ka njoftuar kjo parti.
Lidhja Demokratike nuk e ka mbështetur as propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për falje të 100 eurove të para secilit tatimpagues.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rritja e faturave të tatimit në pronë nuk është e pranueshme tash kur janë rritur çmimet në produktet e tjera. Në një konferencë për media, ajo ka thënë se Qeveria duhet të ndalet nga logjika e varfërimit të qytetarëve.
“LDK-ja kërkon nga MF-ja që me vendim të veçantë të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fondit të patundshmërive në vend dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022. MF-ja të procedoj ligjin e ri për tatim në pronë. Me ligj të ri mund të adresohen të gjitha nenet që janë sot pengesë për të bërë përshtatjet e nevojshme. Dhe MF-ja gjatë vitit 2023 të bëjë rishikimin e plotë të procesit të rivlerësimit të pronave pas përcaktimit të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve. Qeveria duhet ta ndalë logjikën e varfërimit të qytetarëve vetëm për të lëshuar pastaj pako”, ka thënë Bajrami.
Bajrami ka shtuar se MF-ja në në rivlerësimin e fundit të pronave nuk ka marrë parasysh normën e lartë të inflacionit dhe rrethanat socio-ekonomike në vend. Ndërkohë, propozimin e Muratit e quajti amatorizëm politik.
“Veprimi i rritjes së bazës tatimore është papërgjegjësi, arrogancë nga ana e kësaj qeverie. Propozimi Muratit është amatorizëm politik dhe shenjë e qartë e paaftësisë së tij, nuk e ka idenë si funksionon ekonomia dhe si janë ligjet. Ai nuk e di se kuvendet komunale nuk kanë të drejtë të falin një tatim që derivon nga një ligj që është i aprovuar në Kuvend”.