Arbëri

Daçiq: Asociacioni - pika kryesore e të gjitha marrëveshjeve tona me Kosovën

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ka thënë se Asociacioni i komunave serbe (AKS) mbetet pika kryesore e të gjitha marrëveshjeve të Serbisë me Kosovën.

Daçiq ka thënë se Asociacioni duhet të formohet sipas parimeve të dakorduara, të mbështetura nga nënshkrimet e tri palëve.

“Në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 shkruhet qartë se çfarë është AKS, është e rregulluar edhe më hollësisht në marrëveshjen e vitit 2015 dhe ne e kemi nënshkruar sepse është mirë për komunitetin tonë në Kosovë”, ka thënë Daçiq për “Politika”, transmeton Tanjug.

“Marrëveshja nuk është ideale, por në kushtet në të cilat e kemi negociuar është maksimumi që mund të arrijmë. Këto janë marrëveshje që vendosin të gjitha levat e menaxhimit në duart e popullatës sonë, nga ekonomia, zhvillimi, arsimi, shëndetësia, sigurimit dhe policisë”, ka shtuar Daçiq.

Ai u shpreh se këto marrëveshje janë kurora e pjesëmarrjes së Serbisë në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i cili siç tha, vetë mori përsipër t’i zbatojë ato.

Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur arsye për të mos zbatuar marrëveshjen për Asociacionin.

“AKS-ja mbetet pika kryesore e të gjitha marrëveshjeve tona për Kosovën”, ka theksuar Daçiq dhe ka shtuar se ajo duhet të formohet sipas parimeve të dakorduara, pas të cilave janë nënshkrimet e tri palëve.