Arbëri

Muhaxhiri: Kurti heziton të investojë nga frika e korrupsionit

Analisti Artan Muhaxhiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka frikë që ta investojë buxhetin e shtetit në vlerë prej rreth 3,2 miliardë eurosh, pasi i frikësohet korrupsionit.

Muhaxhiri ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se kryeministri Albin Kurti investon më shumë në moralitet.

“Ekziston një frikë e Lëvizjes Vetëvendosje për të investuar. Frika është që të mos njolloset me potencialin për korrupsion. Kryeministri Kurti investon shumë në moralitet, investon shumë në kartën e moralit. Edhe në Prishtinë kur ka qenë Shpend Ahmeti me LVV-në nuk ka pasur investime. Ekziston një stil i qeverisjes ku ka shumë drojë për investimin e parasë publike. Në Kosovë ka ekzistuar një përvojë e hidhur me investimet, sepse ka pasur investime por ka pasur edhe shumë korrupsion. Pra është krijuar një farë mentaliteti që kur ka investime të mëdha publike, ka edhe potencial për korrupsion por LVV-ja ka pasur mundësi që ta ndryshojë këtë model të investimit dhe të investojë pa korrupsion. Natyrisht se nuk do të kesh afera korruptive nëse nuk ke investime”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka bërë ende transferimin nga partia opozitare në një parti të pozitës qeveritare.

“Kjo tregon një gjë që është shumë e dëmshme, është një mungesë e vizionit por edhe një frikë për ecurinë drejt të ardhmes, sepse dëshmon qartë se ende nuk është bërë transferimi i plotë nga partia opozitare, në një parti të pozitës qeveritare. Ky është mentalitet opozitar. Në vend se të thuhet i kemi ndërtuar kaq shkolla, kaq spitale, kaq kilometra rrugë, edhe pas dy viteve merren me të kaluarën. Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtime shumë të mëdha dhe me një përqindje të paparë deri tani. Të gjitha duart i ka të hapura, të gjitha mundësitë e dyert i ka të hapura. Kryeministri Kurti si i majtë që është dashur të ketë shumë më tepër sens për të investuar në shkolla, në spitale dhe në ato kategori ku ka nevojë për dorën e shtetit. Është një qasje e cila është shumë e gabuar sepse paraja duhet të shpenzohet”, është shprehur Muhaxhiri.