Përfaqësuesi i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Lulzim Basha, ka bërë thirrje që shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë.
Në fjalën e tij gjatë diskutimit që po mbahet mbi Kosovën, ai ka thënë se sa më parë që të pranohet nga të gjitha shtetet realiteti se Kosova është shtet i pavarur, do të jetë më mirë për qytetarët e Kosovës dhe për të ardhmen e rajonit.
Duke iu referuar situatës së fundit në veri të Kosovës, Basha ka thënë se retorika nacionaliste ka treguar se në Serbi ende e gjejnë të vështirë të shkëputen nga e kaluara e përgjakshme.
“Fatkeqësisht si ngjarjet e fundit treguan edhe sot disa mendojnë se retorika nacionaliste do t’i ndihmojë të mbajnë fuqi të përjetshme, të tjerë e gjejnë të vështirë të shkëputen nga e kaluara e përgjakshme. Sidoqoftë, këto dilema nuk mund të mbajnë të ardhmen e rajonit peng, nuk duhet ta mbajnë të ardhmen evropiane të Serbisë peng. Nëse përfaqësuesit e Serbisë këtu sot janë të shqetësuar për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, atëherë le t’i bashkojmë përpjekjet bashkë dhe të mirëpresim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, duke lejuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve që ky institucion ofron për të gjithë”, ka thënë Basha.
Basha ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainë, është koha që të mendohet më mirë dhe të vihet paqja e stabiliteti në Evropë, duke filluar nga pranimi i Kosovës shtet.
“I bëj thirrje shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, 15 vjet pas pavarësisë dhe 1 vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha që të vëmë paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin tona, paqen dhe stabilitetin e Evropës fillimisht. Kosova është rast sui generis dhe do të ishte gabim i madh për secilin shtet që të ngrehë paralele me situatat e tjera. Çfarë po ndodh në Ukrainë sot, na flet ne që të shohim përtej interesave të sotme. Ballkani Perëndimor në NATO, Ballkan Perëndimor në BE nënkupton Evropë më të fortë, stabile dhe me prosperitet”, ka deklaruar Basha.
Bushka në KiE: Kosova është treguar konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Deputetja e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Klotilda Bushka tha se Kosova asnjëherë nuk ka nxitur tensione por ka treguar konstruktivet në synimin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ajo tha se duke e mbajtur Kosovën jashtë Këshillit të Evropës, rritën mundësitë që grupe si Wanger të rrezikojnë stabilitetin e rajonit.
“Nuk mund të shqetësohemi për tensionet atje nga njëra anë dhe të mbajmë në sirtar për më shumë se tetë muaj një kërkesë të thjeshtë të paraqitur nga Kosova në këtë shtëpi. A janë kosovarët të kualifikuar për t'i merituar shërbimet e kësaj organizate apo jo. A mund t'u japim atyre një përgjigje? Dhe ky është shqetësimi kryesor sepse sa më gjatë të mbahet Kosova në derë dhe të mos lejohet të hyjë në strukturën tonë demokratike aq më të mëdha janë mundësitë që akterët e tretë të të ashtuquajturave grupe Wagner të rrezikojnë stabilitetin e rajonit tonë”, tha ajo.
Në KiE ku është diskutuar për tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë ajo tha se Shqipëria është e interesuar për paqe dhe stabilitet duke shtuar se janë shqetësuar për rritjen e tensioneve.
“Pse Kosova ka dashur ndonjëherë të nxisë tensionet, kur për shembull po tregon se sa favorizuese është ndaj politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së, se si ka bërë në mënyrën më të fortë të mundshme dënimin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe përafrimin e shpejtë me sanksionet e vendosura nga bota demokratike kundër Rusinë. Sa konstruktive ka qenë Kosova në synimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duke marrë masa konform marrëveshjes së Brukselit dhe duke treguar gatishmëri për kompromis, duke përfshirë identifikimin e automjeteve, targat, dhe shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa pala tjetër po bën të kundërtën për të rrezikuar progresin e arritur. Të nderuar kolegë, më lejoni të kujtoj këtu se është një paradoks të argumentosh dhe gjykosh një vend sovran që kërkon kaq pak gjëra të thjeshta, në mënyrë që qytetarët e tyre të mos zhgënjehen dhe të ndalen në kufij sikur të ishin duke ardhur nga hëna dhe jo nga qendra e kontinentit tonë.