Arbëri

Bajrami: Kurti pati premtuar taksë progresive, por po i braktis qytetarët

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Albin Kurti pati premtuar që sa po të vijë në pushtet do ta zbatojë taksën progresive për t’i tatuar ata me të ardhura më të mëdha, por sipas saj, krejt ajo që po bën është braktisja e qytetarëve.

Të hënën dhe të martën qytetarë të shumtë reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale pasi tatimi në pronë për vitin 2023 u erdhi me dyfish të vlerës në krahasim me tatimin në pronë të një viti më herët. Komunat kanë fajësuar Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa Murati në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.

Duke komentuar rritjen e faturës së tatimit në pronë, Bajrami ka paralajmëruar se komunat mund të dëmtohen nga kjo rritje pasi, siç konsideron ajo, në këtë gjendje të rëndë ekonomike qytetarët nuk do të mund të paguajnë me shtrenjtim.

“Po du me iu kujtu që Kurti pati premtuar taksë progresive posa të vinte në pushtet, ka me i tatu ata që kanë të ardhura më shumë. Por krejt çka po bën është braktisja e qytetarëve në këtë kohë krize”, ka thënë Bajrami në “Interaktiv” të KTV-së.

“Kjo rritje mund t’i dëmtojë komunat, mund t’i ulë të hyrat vetanake pasi mund të ndikojë keq në pagesën e tatimit në pronë nga qytetarët. Nuk do mund ta paguajnë sepse është rëndesë e madhe”, ka shtuar ajo.

Deputetja e LDK-së ka kërkuar që të bëhet pezullimi i këtij vlerësimi.

“Duhet të pezullohet deri në Ligjin e ri të Tatimit në Pronë. Në Ligjin e ri, duhet të largohet pragu i poshtëm, të mos jetë 0.15 për qind, por 0.05 për qind deri në 1 për qind”, ka thënë Bajrami.

Bajrami i kërkoi përballje për të gjitha çështjet ministrit të Financave, Hekuran Murati.