Arbëri

Borrelli mirëpret qëndrimin e Vuçiqit për propozimin e BE-së

Borrell e thërret Vuçiqin, flasin për “punë të rëndësishme” të Ballkanit e BE-së

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është takuar të martën në Bruksel me ministrin e punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Pas këtij takimi ai ka theksuar se e mirëpret qëndrimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë rreth propozimit evropian që parasheh rrugën përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se e vlerëson pozitivisht qëndrimin e Vuçiqit për këtë çështje, i cili tha se diplomatët e huaj i kanë treguar se në rast se nuk e pranon planin e BE-së, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian dhe ndalim të investimeve.

Në deklaratën e lëshuar nga zyra për media e BE-së, thuhet se Borrell në takim me Daçiqin e ka theksuar përparimin e vazhdueshëm që e presin nga Serbia në zbatimin e reformave dhe angazhimeve të marra në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, thuhet se Borrelli ka përsëritur nevojën për të kapërcyer menaxhimin e përhershëm të krizës dhe për këtë arsye pret angazhim të përgjithshëm në propozimin e fundit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“Borrell nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e dialogut në pritje, duke përfshirë themelimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se kryediplomati i BE-së ka theksuar pritshmërinë e fortë të Bllokut ndaj Serbisë, si vend kandidat, për të qëndruar me BE-në në pozicionet dhe vendimet e politikës sëjashtme, në përputhje me zgjedhjen e saj strategjike për integrim në BE.

Daçiq nga ana tjetër, pas këtij takimi ka thënë se BE-ja i ka të qarta vijat e kuqe të Serbisë, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe kontestimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në këtë drejtim, ata vlerësuan rolin konstruktiv të presidentit Aleksandar Vuçiq, dhe përsëritën atë që tha presidenti se jemi të gatshëm të punojmë në bazë të këtij plani dhe zbatimin e tij, dhe ai u tha qartë vijat e kuqe, e kjo është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe atë që besojmë se Asociacioni nuk duhet kontestuar fare”, ka thënë Ivica Daçiq.