Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka treguar për gjendjen në komunat e Kosovës pas vërshimeve të fundit.
Ai ka thënë se komunat kanë qenë reaguesit e parë, por që edhe nga niveli qendror është dërguar ndihmë. Krasniqi ka theksuar se komuna e Skenderajt dhe ajo e Mitrovicës kanë pësuar numër të madh të dëmeve.
“Në komunën e Skenderajt, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut kanë qenë më të prekura nga vërshimet. Ka dëme, për vlerën reale është herët të flasim edhe pse komunat kanë formuar komisionet vlerësuese për dëmet në total. Disa kanë filluar të komunikojnë, por krejt fokusi i nivelit qendror ka qenë që të jemi afër qytetarëve dhe për dëmet do të flasim tash e tutje”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Krasniqi ka thënë se do të bëhet vlerësimi i shkaktarëve të përmbytjeve., ndërsa shtoi se vëmendje të veçantë iu dha komunave në veri.
“Kemi pasur vëmendje të veçantë edhe për zonat e veriut sepse ka pasur bllokime të rrugëve dhe e kemi përcjellë situatën. Deri në mesnatë kemi qenë atje. pamë sesi policia është me kompaninë duke ndihmuar në hapjen e rrugëve”.
Ministri ka deklaruar se do të analizohen edhe përgjegjësitë e nivelit lokal karshi reagimit në situata të tilla si përmbytjet.
“Si ta kemi situatën nën kontroll, duhet të ulemi e të analizojmë për përgjegjësitë e nivelit lokal sepse ata janë reaguesit e parë. Duhet t’i rishqyrtojmë edhe një herë të gjitha planet e veprimit emergjent në nivel lokal sepse këto situata mund të përsëriten. Në secilën situatë kur të përfundon ky proces, duhet të analizojmë, duhet të kemi parasysh edhe për investimet kapitale që bëhen në komuna, sepse një pjesë e këtyre dëmeve nga vërshimet mund të vijnë nga infrastruktura joadekuate e ndërtuar ndër vite”.
Ndërkohë, tha se gjendja është më mirë tash sesa që ka qenë ditë më parë dhe se presin raportin e vlerësimeve nga komunat që të shihen mundësitë financiare për mbështetje.
I pyetur për rishikimin e buxhetit të komunave edhe pas kësaj situate, Krasniqi ka thënë se është “herët të flasim për rishikimin e buxhetit”.
Ai ka theksuar se s’kanë pranuar kërkesë zyrtare nga AKK-ja për fondin emergjent.
Krasniqi ka deklaruar se nuk është përgjegjësi e nivelit qendror që t’ia përmbushë premtimet elektorale një kryetari.
“Komunat e kanë buxhetin e tyre, niveli qendror mund t’i mbështesë edhe me projekte kapitale, por nuk është përgjegjësi e nivelit qendror që të përmbushë asnjë premtime elektorale të asnjë kryetari. Këtë e di secili kryetar”, ka thënë ai.