Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se po akuzohet pa prova për një lidhje të mundshme me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal, i cili dyshohet se fshehu një takim me kreun e Partisë Socialiste më herët.
Rama pretendon se këto akuza nuk kanë lidhje me të, por sipas tij po bëhen nga protagonistët e “Big Brotherit të politikës”.
“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve! Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur”, ka shkruar Rama në Twitter.
“Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, vijon reagimi i Ramës.
Prokurorët amerikanë pretendojnë se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, McGonigal fshehu një takim me kryeministrin e Shqipërisë, një politikan kosovar dhe të tjerë.
Në një takim, prokurorët pretendojnë se McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të ishte “i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për kërkime për naftë në Shqipëri, nga kompanitë ruse”.
Ai ka edhe akuza të tjera.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.