Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka shkruar lidhur me dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë, si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut.
Peci ka thënë se nga vizitat që u ka bërë komunave që janë prekur nga përmbytjet, ka parë që dëmet janë të konsiderueshme.
“Këtë e pashë nga afër teksa vizitoja Komunën e Mitrovicës, Zubin-Potokut, Komunën e Skenderajt, atë të Klinës dhe Komunën e Istogut. Në Mitrovicë e Zubin Potok vizitova bujqit e prekur nga këto vërshime dhe i inkurajova që t'i dokumentojnë ato e t'i dorëzojnë pranë Drejtorive për Bujqësi”, ka shkruar Peci në Facebook.
Ai ka njoftuar se ka takuar edhe kryetarët e disa prej komunave.
“Po ashtu përpos inspektimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore tek bujqit, zhvillova takime me kryetarët; atë të Komunës së Klinës Zenun Elezaj, të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe të Komunës së Istogut, Ilir Ferati, të cilët më njoftuan në detaje për situatën sfiduese me të cilën po përballen komunat respektive. Bashkëndjeva me qytetarët e prekur nga vërshimet, fatkeqësisht në Mitrovicë, Çabër, Skenderaj, Klinë dhe Istog; si dhe i sigurova ata se asnjë dëm nuk do anashkalohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Peci.
Peci ka thënë se nga ky vit, Komisioni i Dëmeve në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t'i trajtojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore përfshirë edhe dëmet në sektorin e bujqësisë.