Arbëri

Osmani takon presidentin italian, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Itali, është pritur nga homologu i saj italian, Sergio Mattarella.

Në një postim në Facebook ajo ka shkruar se më këtë rast janë konfirmuar marrëdhëniet miqësore në mes të Kosovës dhe Italisë dhe janë diskutuar mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral.

“Me Italinë e historisë së jashtëzakonshme, artit botëror, traditës kulinare e peizazheve magjepsëse ka kaq shumë gjëra që na bashkojnë. Por, mbi të gjitha na bashkon orientimi ynë i përbashkët për paqe, demokraci e sundim të ligjit. Andaj, së bashku diskutuam për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit si dhe për kontributin tonë të përbashkët për paqe e stabilitet në rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Të hënën Osmani është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Kurse, pas takimit me të, ajo ka shkruar se synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani “kontribuon në avancimin e mëtejmë të raporteve shekullore”.