Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vizituar Luginën e Preshevës duke potencuar se në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për qytetarët e kësaj zone kanë shumë projekte në fushën e arsimit.
Nagavci ka njoftuar se ka vizituar Preshevën dhe me kryetarin e Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola, këshilltaren e kryeministrit Ardita Sinani, këshilltarin e zëvëndëskryeministrit Fatmir Curri si dhe Kryetarin në Detyrë të KKSH, Ragmi Mustafi kanë zhvilluar vizita në disa institucione edukativo-arsimore e organizata të shoqërisë civile.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për realizimin e të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës. Për këtë arsye ka ndarë mjete financiare që kanë synim promovimin e interesave të shqiptarëve në Luginë si dhe parandalimin e shpopullimit të vendit. Në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për qytetarët e Luginës së Preshevës shumë projekte të përkrahura janë në fushën e arsimit si: 78 grante për projekte në vlerën totale mbi 1 milionë euro dhe përkrahje financiare me bursë për studentët, ku 107 të rinj e të reja do të përfitojnë bursë vjetore në shumë prej 1.000 euro, në vlerën totale prej 107 mijë euro; për herë të parë vitin e kaluar kemi dërguar libra në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vlerën prej 255 mijë eurove; në muajt qershor dhe tetor, Qeveria ka ndarë gjithsej 85 mijë euro të tjera shtesë për këto libra; bursa për studentë në vlerë 107,000.00 euro; pajisja me libra për parashkollor në vlerë 8,778.00 euro; shkollat sportive në vlerë :(në futboll, basketboll, boks, karate, volejboll, atletikë, etj.) 157,500.00 euro. Si Qeveri e Ministri e Arsimit, Luginës së Preshevës i kushtojmë vëmendje të veçantë. Lugina ka nevojë për më shumë, andaj do vazhdojmë angazhimin që brenda kapaciteteve tona, të bëjmë më shumë për ta”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.