Dëme të mëdha janë evidentuar në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi, një ditë pas përmbytjeve që reshjet i shkaktuan në shumë komuna. Më shumë dëme janë parë në Skenderaj e Mitrovicë, komuna në të cilat është shpallur gjendje emergjente. Banorë të prekur nga përmbytjet tregojnë dramën për t’u shpëtuar vërshimeve.
Shtëpia e Jetullah Imerit në Tushilë të Skenderajt deri dje ka qenë dykatëshe. Katin e parë ia ka marrë uji i rrëmbyeshëm, i shkaktuar nga të reshurat e së enjtes.
Imeri e tregon momentin kritik.
“Këtu kur ka ardhur uji i madh e ka rrëzuar murin mbrojtës, qysh po shihet, kur ka ardhur këtu kanë ardhë edhe drunjtë e mëdhenj prej lumenjve në këtë pjesë edhe ka rënë druni te dritarja. Kemi dal prej dritares ne. E kam 92 vjet nënën në moshë, e kemi nxjerrë prej dritares dhe kemi dalë e unë kam mbetur i fundit. 2 minutat e fundit pa u rrënuar kati unë kam dalë prej aty”.
Shtëpia e Jetullahut nuk është e vetmja që u dëmtua në këtë fshat. Nuk ka pasur pasoja në njerëz, por banorët tregojnë se shumë bagëti u kanë ngordhur, në stallat e përmbytura. Dëme të mëdha janë evidentuar edhe në infrastrukturë e bujqësi. Ndërkaq dëme të mëdha janë parë edhe brenda qytetit.
Ministri i Infrastrukturës, i cili vizitoi Tushilën, tha se dëme në infrastrukturë ka parë në shumë qytete.
“Gjendja është e rëndë, ne ishim edhe në Mitrovicë, në Zubin Potok dhe erdhëm këtu me e pa gjendjen e infrastrukturës, kryesisht rrugët e bllokuara dhe banorët të cilët janë bllokuar nga vërshimet që kanë ndodhur”, ka thënë ministri Liburn Aliu.
Pas përmbytjeve Skënderaj dhe Mitrovica shpallën gjendje emergjente.
Në Brigadën e Zjarrfikësve treguan se kanë zhvilluar disa operacione shpëtimit në Mitrovicë.
“Të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmë prej nesh, ne u kemi dalë në ndihmë dhe i kemi evakuuar deri në këto momente, ende po vazhdon evakuimi në disa pjesë, mirëpo tash jemi përqendruar më tepër në tërheqjen e ujit nga shtëpitë, podrumet”, u shpreh zjarrfikësi Mehmet Mehmeti.
Banorët e Mitrovicës po presin ndihmë nga komuna e institutet shtetërore. Disa prej tyre janë duke qëndruar akoma nëpër shtëpitë e përmbytura.
“Katastrofë, kurrë nuk kemi fjetur, 4 nipa i kam pasur në shtëpi, mezi i kam tërhequr, e telefonova policinë po nuk kishin kohë me intervenu me barka, mezi i kam nxjerrë me qeto çizme mbi shpinë”, ka thënë Bajram Qena.
“Përmbi 80 shtëpi janë të vërshuara, është vështirë mjaft për ne, me mundësitë tona tash nuk po di... vetëm kish qenë mirë ndonjë ndihmë, me na ndihmu edhe Qeveria”, ka deklaruar Veton Syla.
Autoritetet komunale treguan se në operacionin e shpëtimit kanë angazhuar edhe zhytës.
Pas dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, në Mitrovicë dhe Skenderaj, por edhe në Klinë dhe Zubin-Potok, asnjë shkollë nuk ka mbajtur mësim.