Arbëri

Këshilltari i Osmanit i reagon Çitakut: Nxiteni nga interesa të ngushta që ta sulmoni presidenten

Këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, i ka reaguar nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, pasi kjo e fundit kërkoi nga Vjosa Osmani që të flasë pas situatës së rënduar në disa zona në vend për shkak të vërshimeve.

Kupina ka thënë se Presidenca ka qenë vazhdimisht në kontakt me institucionet për mobilizim për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.

“Që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës. Presidentja po ashtu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Kupina e ka quajtur absurde deklaratën e Çitakut, ndërsa ka theksuar se nxitet nga interesa të ngushta që kanë qëllim sulmin kundrejt presidentes.

Teksa ka shtuar se Osmani ndryshe nga Çitaku, e di se kush janë qytetarët dhe kufijtë e Kosovës.

“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten. Për dallim nga znj.Çitaku, Presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.