Arbëri

Nderohet jeta dhe vepra e akademikes Edi Shukriu

Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve te Kosovës është mbajtur mbledhje komemorative si dhe janë mbajtur homazhe në nderim të akademikes Edi Shukriu. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja u shpreh se me ikjen e Edi Shukriut edhe vendi do të jetë më i varfër.

“Nga sot do të jemi më të varfër, jo vetëm për një arkeologe të shkëlqyer, historiane, profesoreshë, shkrimtare, poete e dramaturge por do të jemi më të varfër edhe për një miqësi të sinqertë, për një personalitet të veçantë që kishte mbresinë e observimit intelektual e cila ishte mënyra e saj e të menduarit dhe gjykuarit. Edi do ju mungojë të gjithëve, edhe atyre që e donin më shumë dhe atyre që e donin më pak”, ka thënë Kraja.

Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Gjyljeta Mushkolaj, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, derisa kujtoi figurën e saj, e ka cilësuar Shukriun si person me vlera të mëdha.

Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, ka kujtuar disa nga fjalët dhe poezitë e arkeologes, derisa ka thënë se asnjëherë nuk është ndalur duke qenë këmbëngulëse për emancipim e barazi mes popujve e gjinive.

“Si për të gjithë shoqërinë dhe për ne Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj, përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëforte për emancipim e barazi mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive. Sot nuk ka diçka më adekuate sesa fjala e saj për te kujtuar detyrën që ka shoqëria dhe mbi të gjitha intelektualja karshi çështjeve publike, etike e politike, brenda dhe jashtë Universitetit”, ka thënë ajo.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit./KP