1 perditesime
23:47

Spahiu: Nëse Kosova e Serbia s’arrijnë kompromis para marsit, ka rrezik të nisë lufta

Analisti Nexhmendin Spahiu ka thënë se rreziku i luftës midis Kosovës dhe Serbisë nuk është shmangur. Sipas tij, nëse palët nuk arrijnë kompromis para marsit, rrezikohet të shkohet në luftë.

I ftuar të martën në emisionin Interaktiv në KTV, Spahiu ka thënë se kjo luftë mund të nisë për shkak se të dyja palët dëshirojnë të tregojnë se e dominojnë veriun, ndërsa Perëndimi mund t’i lë të ndeshen nëse e sheh se nuk po arrijnë marrëveshje.

“Rreziku i luftës së Kosovës dhe Serbisë nuk është shmangur. Të analizojmë njëherë planin franko-gjerman që SHBA-ja dhe BE-ja po e marrin si bazë. Ai është kompromisi ku Serbia do ta njohë Kosovën në këmbim të një autonomie më të madhe të serbëve të Kosovës sesa që e parashikon Ahtisaari dhe Kushtetuta e Kosovës. Por sa do të jetë niveli i kësaj autonomie, kjo është diskutuar që 12 vjet. Ku do të prehet pazari, varet prej situatës në terren andaj rrezikojmë të shkojmë në luftë për shkak se secila palë dëshiron të tregojë se e dominon veriun. Vuçiqi për të treguar se e dominon veriun i ka tërhequr prej institucioneve të Kosovës, Albin Kurti ka dëshmuar që përkundër barrikadave dhe problemeve të tjera, Qeveria e Kosovës mund ta mbajë kufirin dhe t’i kontrollojë pikat kufitare. Mendoj se ka qenë vetëm një armëpushim që e kanë ndërmjetësuar amerikanët, por ky armëpushim nuk domethënë se mund të zgjasë pafundësisht. Nëse palët arrijnë një kompromis para marsit, atëherë edhe mund të evitohet lufta, por nëse Perëndimi sheh që palët nuk janë duke shkuar deri aty, do t’i lënë të ndeshen”, ka thënë ai.

Sipas Spahiut, kur flitet për konflikt Kosovë-Serbi, bëhet fjalë për të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë mundësinë që të sulmohet edhe Prishtina.

“Në një moment të caktuar ata mund t’i lënë edhe që të ndeshen. Nëse e shohin që Serbia nuk dëshiron të dorëzohet dhe të heqë dorë nga Rusia, atëherë amerikanët mund ta lënë Serbinë të gabojë, të hyjë në Kosovë në mënyrë që të ketë më pas një pretekst që ta sulmojë Beogradin në mënyrë të dhunshme. Por a do t’i hyjë Beogradi një aventure të tillë këtë nuk e dimë. Serbia nuk është duke e pranuar këtë planin franko-gjerman dhe unë besoj që nëse nuk e pranon, luftën do ta kemi gati”, ka thënë ai.

Analisti Spahiu më tej ka thënë se beson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta pranojë një autonomi për serbët që nuk do ta prekte sovranitetin e shtetit.

“Konsideroj që kryeministri Kurti do ta pranojë një autonomi për serbët e cila nuk do ta lëndojë sovranitetin e shtetit të Kosovës, nuk do të ndikojë në politikën e jashtme të Kosovës, për këtë ka garanci nga Esocbar, Chollet dhe nuk kemi arsye të mos besojmë se kjo mund të shkojë deri në këtë masë. Besoj se do të ishte mirë që Kurti të pranonte një gjë të tillë por jo me kushtin që të krijohej një Republika Srpska”, ka thënë ai.

23:27

Spahiu: Dyshohet se Qeveria serbe vendosi ta heqë qafe Ivanoviqin për t’ia mbyllur gojën

Analisti Nexhmendin Spahiu ka dhënë një version se pse mund të jetë vrarë ish-politikani serb Oliver Ivanoviq. Ai ka thënë se mbetet spekulim, megjithatë tregoi se dikush e kishte spiunuar Ivanoviqin te Qeveria serbe dhe për këtë ishte vrarë.

Spahiu në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Ivanoviqi ka pasur në mendje t’i bëjë publikë emrat e kriminelëve të luftës.

“Arsyet tash vetëm mund t’i spekulojmë, por një është kur Vuçiq ka dashur ta ketë kontrollin e plotë mbi skenën politike të serbëve në Kosovë. Pas vrasjes së Oliverit askush s’ka marrë guximin në veri të kundërkandidojë ndaj Listës Serbe. Ky është efekt i drejtpërdrejt i vrasjes së tij. Kam dëgjuar spekulime, dikush nga ndërkombëtarët e ka spiunuar te Qeveria e Serbisë se po do t’i qesë emrat e kriminelëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, në kuadër të procesit gjyqësor për ta mbrojtur veten nga këto akuza. Kemi njerëz që kanë shpëtuar nga masakra ku ai akuzohet se e ka komanduar atë. Shtrohet pyetja nëse ka mundur dikujt t’ia shpëtojë jetën, pse s’ka mundur t’i shpëtojë të gjithë. Spekulohet që ai kur ka filluar t’i qesë emrat, Qeveria e Serbisë ka vendosur ta heqë qafe që të mbulojë zbardhjen e kriminelëve që kanë marrë pjesë në masakra gjatë luftës në Kosovë. Nuk e di sa është e vërtetë”, ka thënë Spahiu.

Ndërkohë, për mesazhin e kryeministrit Albin Kurti në përvjetorin e Ivanoviqit, Spahiu ka theksuar se ka qenë akt politik i Kurtit.

“Ka qenë akt politik i kryeministrit dhe ka qenë në rregulla ta kujtojë në viktimë politike. Deklarata e Kurtit është një lloj arsyetimi për moszbardhjen e rastit duke arsyetuar institucionet të cilat ai nuk ka përgjegjësi sepse prokuroria, gjyqësia janë të pavarura, por ato janë pasqyrë e shtetit megjithatë”.

Spahiu ka shtuar se Ivanoviqi ka qenë arsyeja pse në veri të vendit sot jetojnë serbë. Ka deklaruar se por të mos ishte Ivanoviqi, nuk do të kishte as serbë në Kosovë tani.

“Ajo që ka ndodhë pas luftës kur shteti serb është mposhtur, ka qenë Oliveri ai që e ka organizuar serbët lokalë për të mos i lënë shqiptarët të kthehen në veri, t’i mbrojë serbët nga dëbimi dhe mos të ishte ky veprim i tij, në veri të Mitrovicës nuk do të kishte serbë, nuk do kishin as universitet, as institucione paralele. Pas 23 viteve nuk do kishte më fare serbë në Kosovë, sikur Peja shembull ta kishte një Oliver Ivanoviq, edhe Peja do të ishte e ndarë. Nuk mund të themi që Ivanoviq ka qenë lojal ndaj shtetit të Kosovës, ka qenë ndaj Serbisë, por ka qenë urë komunikimi. Ka folur shqip, ka folur me gazetarë”, ka përfunduar Spahiu.