Arbëri

Lajçaku e Escobari të premten në Kosovë

 

Qëllimi i vizitës është përgatitja e terrenit për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë, me synim që të diskutohet edhe për propozimin franko-gjerman, i cili tashmë quhet edhe si propozim evropian. Diplomatët në Bruksel pohojnë se nëse do të ketë mundësi, deri në fund të këtij muaji do të duhej të zhvillohej një takim i nivelit të lartë, sepse koha po shkon dhe ende nuk ka qartësi se si dhe në cilin drejtim do të shkojë dialogu

Nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se i dërguari i posaçëm për dialog i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, me gjasë i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë të premte do ta vizitojnë Kosovën e më pas edhe Serbinë.

Ndonëse zëdhënësi i BE-së për çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, nuk ka dashur t'i konfirmojë datat, duke thënë se ato bëhen të ditura në kohën e përshtatshme dhe atë nga delegacionet apo zyrat e BE-së në kryeqytetet përkatëse, pra në Prishtinë dhe Beograd, gjithsesi këtë javë pritet kjo vizitë.