Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se oferta më e fundit e ndërkombëtarëve për dialogun Kosovë-Serbi duhet të pranohet.
Sipas saj, vizitat në rritje të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare tregojnë se po zhvillohet një lëvizje diplomatike, që synon ta vë Serbinë në pikën ku duhet të vendosë përfundimisht për përcaktimin e saj.
“Vizita e Derek Cholletit është sigurisht një nga më të rëndësishmet sepse ai erdhi po ashtu me një propozim. S’është vetëm për ringjalljen e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, por është edhe një ofertë në tavolinë për Kosovën e Serbinë, që duhet të pranohet”, ka thënë ajo për “Danas” të premten.
Sipas saj, “u takon qytetarëve të Serbisë dhe opozitës të ngrenë zërin dhe të bëjnë presion te Qeveria që të sillet me përgjegjësi”.
“Serbia nuk guxon të lejojë të mbahet peng nga Rusia dhe politikës së saj shkatërruese, e cila edhe asaj po ashtu i kushton”, ka thënë ajo.
Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dy ditët e fundit qëndroi në Kosovë e Serbi. Ai në Prishtinë bëri të qartë që SHBA-ja pret që dialogu të ketë në marrëveshjen finale njohjen reciproke në qendër. Në Serbi u shpreh se pret që palët të fokusohen në propozimin franko-gjerman.
Qysh në fund të verës, në opinion kanë qarkulluar informacione për ekzistencën e propozimit që fillimisht u quajt si plani franko-gjerman. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar këtë propozim si një bazë të mirë për të nisur negociatat për marrëveshje finale. Por jo edhe pala serbe, që e ka quajtur “të papranueshëm” propozimin.