Arbëri

Shenja kushtëzimi të anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin

Bllokimi i mëtejshëm i themelimit të Asociacionit nuk do ta bëjë më të lehtë për Kosovën arritjen e shumicës së nevojshme pas aplikimit të saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, kanë thënë në Ambasadën gjermane në Prishtinë. Në një përgjigje që Ambasada ia ka dhënë KOHËS, theksohet se kjo do të përbëjë gjithashtu pengesa serioze në procesin e mëtejshëm të asocimit në BE

Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pritet të ketë efekt negativ në proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, kanë paralajmëruar në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Në një përgjigje që kjo Ambasadë ia ka dhënë KOHËS, thuhet se në kuadër të kësaj, do të jetë e vështirë edhe sigurimi i shumicës mbështetëse në Këshillin e Evropës, në vendimmarrjen për anëtarësimin e Kosovës.

“Gjermania dhe partnerët vazhdimisht kanë theksuar se bisedimet për zbatimin e Asociacionit për komunat serbe duhet të fillojnë që tani, duke synuar themelimin e një asociacioni, sipas marrëveshjes përkatëse kosovaro-serbe nga viti 2013, që është plotësisht në përputhje me limitet e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Bllokimi i mëtejshëm i themelimit të Asociacionit nuk do ta bëjë më të lehtë për Kosovën arritjen e shumicës së nevojshme për aplikimin e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigje.

Ambasada ka paralajmëruar se bllokimi i procesit të themelimit të Asociacionit, përbën problem për Kosovën edhe në nisma të tjera anëtarësimi.

“Ajo do të përbëjë gjithashtu pengesa serioze në procesin e mëtejshëm të asocimit në BE”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, e cila ka theksuar se shtetet evropiane janë të gatshme ta ndihmojnë Kosovën në procesin e themelimit të Asociacionit. “Sa u përket detajeve teknike, veçanërisht partnerët evropianë mund të ofrojnë mjaft ekspertizë, kur bëhet fjalë për hartimin e qasjeve të përshtatshme ligjore. Gjermania do të jetë e lumtur të mbështesë dhe të ndajë përvojat e saj në këtë fushë nëse dëshiron”.

Më 12 maj të vitit të shkuar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vazhdimisht, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë theksuar se është siguruar shumica e nevojshme për anëtarësim.

E krahas Gjermanisë, për themelimin e Asociacionit insistim kanë shprehur edhe zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi që në rast se nuk bëhen veprime nga Qeveria, atëherë do të gjenden partnerë në Kosovë për të ecur përpara me procesin.

Analisti Visar Ymeri vlerëson se Qeveria duhet të jetë iniciatore në veprimet drejt zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin.

“Nëse presim që të na vijë një dokument nga jashtë, kam drojën që ai mund të vijë për shkak të urgjencës dhe mund të vendosemi në atë pozitë që nuk mund të ndryshojmë as presjen e lëre më pjesë të tekstit. Kështu që, është më mirë të jemi më proaktivë e ta marrim këtë proces në duart tona”, ka thënë Ymeri.

E politologu Shkumbin Beqiri, thotë se Qeveria duhet ta krijojë mekanizmin e saj që do t’ua mundësonte serbëve të Kosovës zbatimin më efektiv të të drejtave, ndaras nga Serbia.

“Deri më tash, e kemi parë që gjithçka që është folur për serbët është folur përmes Beogradit dhe Asociacioni duhet që këtë adresë të përfaqësimit të të drejtave të minoritetit serb, në këtë rast ta shkëputë në raport me Kosovën dhe të jenë pikërisht serbët e Kosovës ata të cilët e përdorin Asociacionin thjesht për t’i realizuar të drejtat e tyre, por jo diçka e cila e cenon karakterin unitar të shtetit dhe e pengon ushtrimin e sovranitetit të shtetit”, ka thënë Beqiri.

Në Qeveri nuk pranuan të deklarohen rreth telasheve që mosthemelimi i Asociacionit mund t’ia shkaktojë Kosovës në aspektin e integrimit evropian dhe për mundësinë e ndërhyrjes nga ndërkombëtarët.

Por, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti për herë të parë la të hapur mundësinë e diskutimit të çështjes së Asociacionit, por tha se ato mund të bëhen gjatë negociatave konform planit franko-gjerman.

“Ne besojmë që është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje negociatat. Jemi në një moment kur flasim, diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë në mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet, megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës, që u ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe, dhe që është përpiluar nga z. Ahtisaar, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik”, ka thënë Kurti, në konferencën për media, pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer, në Vjenë.

Të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e theksoi nevojën për themelimin e Asociacionit, përpara nisjes së çfarëdo faze të re bisedimesh me Kosovën. E deklaroi këtë pas takimit me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Gjatë vizitës në Kosovë, Chollet tha se kthimi në tavolinën e dialogut nuk duhet të kushtëzohet nga asnjëra palë, por bëri thirrje që veprime të menjëhershme për Asociacionin, për të cilin theksoi se duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës.

“Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vet të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj në dialog, që përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Chollet. “Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”.

Prej që është arritur marrëveshja për Asociacionin, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti vazhdimisht e ka kundërshtuar. Përpos shumë protestave në rrugë, për muaj rresht ajo ka hedhur edhe gaz lotsjellës në Kuvend.