Prokuroria mohon se ka pranuar dosjen e zyrtarëve të lartë policorë të dyshuar për korrupsion
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka përgënjeshtruar EULEX-in lidhur me pretendimin se dosja me zyrtarët e lartë policorë të cilët dyshohen për krim të organizuar e korrupsion në veri, u është transferuar atyre në vitin 2017. Pas raportimit të “KOHËS”, në këtë Prokurori kanë deklaruar se është kërkuar nga EULEX-i t’u ofrojë dëshmi se dosja është dorëzuar, por që deri tash nuk e kanë bërë një gjë të tillë
Prokuroria Themelore e Mitrovicës e ka mohuar pretendimin e EULEX-it se në vitin 2017 atyre u është transferuar dosja me zyrtarët e lartë policorë, që dyshoheshin për korrupsion e krim të organizuar në veri. Përmes një përgjigjeje me shkrim, kjo Prokurori ka thënë se në bazë të dëshmive që posedojnë dosja e lëndës në fjalë, nuk është dorëzuar asnjëherë nga EULEX-i në Prokurorinë e Mitrovicës.
“Ju informojmë se në bazë të dëshmive që posedon Prokuroria Themelore në Mitrovicë, dosja e lëndës në fjalë, nuk është dorëzuar nga EULEX-i në prokurori. Është kërkuar nga EULEX-i që të ofrojë dëshmi se dosja është dorëzuar te ne, por deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje. Jemi në pritje të përgjigjes për dëshminë se kjo dosje është dorëzuar në prokurori. Nuk mund të konkludohet se kjo dosje është dorëzuar në prokurori, përderisa nuk ofrohen dëshmi se është dorëzuar nga EULEX-i dhe pranuar nga administrata”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Lidhur me këtë pretendim të Prokurorisë, EULEX-i nuk ka ofruar sqarime të premten.
Rasti për të cilin raportoi “KOHA” javën e shkuar përfshin periudhën prej vitit 2014, kur hetimet ishin iniciuar nga EULEX-i. Raporti me titull: “Korrupsioni i zyrtarëve të lartë në Mitrovicën e Veriut”, i përshkruan lidhjet mes strukturave të policisë dhe atyre politike, nga të dyja nacionalitetet - shqiptare dhe serbe. Si të dyshuar në këtë dokument përmenden drejtuesit e lartë të Policisë rajonale në veri. Ata paguheshin nga 1000 deri 1800 euro në muaj për t’i mbyllur sytë para kontrabandës në komunat veriore.
EULEX-i pati thënë se dosja e nga Prokuroria e tyre i është dorëzuar në të njëjtën datë prokurorit vendor në Mitrovicë dhe IPK-së, pra më 25 korrik 2017.
“Të dhënat tona tregojnë se ky raport i është dorëzuar Prokurorit të EULEX-it në vitin 2014. EULEX-i nuk mund të komentojë nëse hetimet janë hapur apo jo. Të gjitha dosjet penale në posedim të EULEX-it u janë dorëzuar homologëve vendorë në vitin 2018 dhe për këtë arsye ju ftojmë që çdo pyetje që keni lidhur me këtë çështje t'ia drejtoni Prokurorit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë ose PSRK-së. Dosja e lëndës nga Prokuroria e EULEX-it i është dorëzuar në të njëjtën datë prokurorit vendor në Mitrovicë dhe IPK-së, me datë 25/07/2017”, thuhej në përgjigjen e EULEX-it.
Por qëndrim ndryshe prej EULEX-it kishte dhënë edhe IPK-ja. Sipas tyre, EULEX-i i kishte njoftuar për hedhjen poshtë të kallëzimit penal lidhur me këtë rast.
Vonesat në dorëzimin e dosjeve
Gjatë kohës në të cilën EULEX-i pretendon se ka dorëzuar dosjen, kryeprokuror i Themelores në Mitrovicë ka qenë Shyqyri Syla. Ai ka deklaruar se nuk i kujtohet nëse është deponuar kjo dosje duke shtuar se transferim i lëndëve në përgjithësi është shoqëruar me vonesa nga ana e EULEX-it. Sipas Sylës, në ndjekje ka qenë vetëm Shefi i Operativës në veri, Zheljko Bojiq, i dyshuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në fshehjen e provave dhe veprimtarive tjera që kanë të bëjnë me vrasjen e Oliver Ivanoviq. Bojiq është njëri prej katër zyrtarëve që përmendet edhe në dosjet e EULEX-it. Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta arrestojë atë në aksionin e tetorit të vitit 2019. Por cak i aksionit nuk kanë qenë edhe zyrtarët tjerë që përmenden në raport.
Në bazë të aktakuzës, e cila është ngritur ndaj Bojiqit më 19 qershor 2020, ai kishte dekonspiruar një aksion të vitit 2015 kur njësiti antidrogë kishte tentuar kapjen e një sasie të madhe droge e cila po bartej me një veturë. Mirëpo, dyshohet se me urdhër e togerit Bojiq, njerëz të caktuar të krimit, kishin arritur ta pengojnë njësitin antidrogë, duke pamundësuar kështu aksionin policor. Bojiq ka më shumë se dy vjet që ka ikur nga Kosova, ndërsa besohet se fshihet në Serbi.
Në Departamentit amerikan të Thesarit, Zhelko Bojiq identifikohet si pjesëmarrës i grupit të krimit të organizuar, që ishte angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë në Kosovë e Serbi, të cilët mundësonin lehtësimin e trafikimit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve.
Dokumentet konfirmojnë se pavarësisht dyshimeve për përfshirje në korrupsion, disa prej zyrtarëve në veri ishin avancuar në pozita. Njëri prej këtyre zyrtarëve ishte graduar nga rreshter në kapiten dhe i njëjti mbrohej nga zyrtarë shqiptarë që kanë qenë pjesë e hierarkisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Kjo bëhej me qëllimin që të sigurohej mbështetja politike e Listës Serbe, kur ata t’ia mësynin pozitave të larta në Drejtorinë e Përgjithshme. Pas gradimit të shefit të Njësisë në veri, ishte siguruar mbështetja e Listës Serbe edhe për njërin prej zyrtarëve shqiptarë në Prishtinë. Ai kishte marrë pozitë udhëheqëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Sipas raportit, dy shefave të policisë në veri me diktat të njërit prej udhëheqësve të Policisë së Kosovës, u ishin mbyllur edhe dosjet e hapura në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Para se t’i kalojë kompetencat te vendorët, luftimi i korrupsionit ishte vetëm një nga shumë detyrat që ia kishte listuar vetes misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX-i, që u vendos në dhjetor të vitit 2008.
Pas vitit 2014, EULEX-i e kishte deklaruar si prioritet rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës- rajon në të cilin për vite rresht kanë funksionuar edhe institucionet ilegale të sigurisë, sikur janë MUP-i, BIA dhe Mbrojtja Civile.
Në shenjë revolte ndaj vendimit të qeverisë i cili obligonte serbët t’i konvertonin targat ilegale me denominime nga regjimi i Millosheviqit, në RKS, më 6 nëntor të vitit të kaluar, policët serbë i dorëzuan dorëheqjet e tyre në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Mbështetur në listën që ka siguruar “KOHA” numri i të dorëhequrve është 80, përfshirë zyrtarët që mbanin pozita udhëheqëse. Në mesin e tyre janë edhe drejtuesit e lartë të Policisë të cilët përmenden në raportin e EULEX-it.
Stacioni policor në veri ishte themeluar pas marrëveshjes së parë në Bruksel, të vitit 2013, e cila specifikonte se komandant rajonal duhet të jetë një serb.
I fundit që e ka pasur komandën në këtë stacion është Nenad Gjuriq, i cili po ashtu dha dorëheqje.
Shumica e pjesëtarëve serbë që kishin pranuar ta vishnin uniformën e policisë së Kosovës, i kanë shërbyer MUP-it të Serbisë.