Arbëri

Vuçiq: SHBA-ja t’i kërkojë Prishtinës t’u përmbahet obligimeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar këshilltarit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, që SHBA-ja ta përdorë ndikimin që ka që ta bindë “Prishtinën për t’i përmbushur obligimet që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara”.

Siç ka shkruar në Instagram, Vuçiqi e ka përshkruar si “bisedë të hapur” takimin me Cholletin.

“I shpreha pritjen që SHBA-ja të njohë përpjekjet e shtetit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe po ashtu ta përdorë ndikimin e padyshimtë dhe inkurajojë Prishtinën t’i përmbushë obligimet në pajtim me marrëveshjet e pranuara dhe nënshkruara, por edhe të vazhdohet dialogu në frymën e sinqeritetit dhe shkëmbimit të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave konkrete”, ka deklaruar Vuçiqi.

Cholleti qëndroi në Prishtinë para vizitës në Beograd. Në Kosovë ai bëri të qartë që marrëveshja finale Kosovë-Serbi në qendër duhet ta ketë njohjen reciproke, ndërsa shprehu pritjet që Qeveria e Kosovës të paraqesë propozime në tavolinë, për asociacionin e komunave me shumicë serbe.