Arbëri

Qerimi për ndryshimin e Statutit të UP-së: Kemi ngritur grup pune për rimodelimin e tij

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka folur për nevojën për ndryshimin e Statutit të UP-së.

I ftuar në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV të mërkurën, Qerimi ka thënë se është ngritur një grup pune që do të merret me rimodelimin e Statutit të universitetit.

Ai më tej bëri të ditur se për ndryshimin e Statutit të Universitetit do të angazhohet ekspertizë e jashtme, e do të ketë edhe konsultime me Senatin akademik para se të përcillet për në Ministrinë e Arsimit.

Qerimi ka thënë se me Statutin e ri të UP-së do të bëhen përcaktime që e rrisin shkallën e kërkesës sa i përket produktivitetit akademik.

“Sapo kemi ngritur konceptualisht një grup pune që do të merret me rimodelimin e Statutit të universitetit, do të angazhojmë gjithashtu ekspertizë të jashtme, do të ketë pastaj konsultime me Senatin akademik, do të ketë diskutime publike, pasi që të miratohet në senat Statuti do t’i përcillet Ministrisë së Arsimit dhe ministria e përcjell tutje në Kuvend prandaj ka disa shkallë në zinxhirin e procesit të vendimmarrjes, por unë mendoj që definitivisht ne mundemi më tepër, duhet të aspirojmë më tepër dhe unë do të insistoj që në Statutin e ri të bëjmë përcaktime që e rrisin këtë shkallë të kërkesës për sa i përket produktivitetit akademik dhe cilësisë së tij”, ka thënë ai.

Ai më tej ka thënë se ajo çfarë po bën aktualisht është matje ekonomike e mundësive buxhetore dhe planifikimeve për hapjen e konkurseve dhe rekrutimeve të stafit të ri.

“Propozimi për këtë numër të stafit mbështetet në gjendjen që unë e kam gjetur mbi bazën e të dhënave që kam pasur në kohën e aplikimit tim për këtë pozicion, ndërsa tani jam në pozitë më të mirë për të bërë matje më të sakta”, ka thënë ai.

Rektori Qerimi duke folur për dyshimet për plagjiaturë të disa profesorëve, deklaroi se është e rëndësishme që të ketë një trupë profesionale dhe të konsoliduar që të bëjë gjykime të drejta.

Ai shtoi tutje se çështja e plagjiaturës duhet të trajtohet edhe në aspektin e integritetit të botës akademike.

“Jam interesuar jo vetëm në kontekst të rasteve, por edhe të rasteve të tjera sa i përket integritetit të botimeve akademike. Masat janë për rastin konkret prandaj është e rëndësishme të ketë një trupë të konsoliduar që bën gjykime të drejta”, deklaroi ai.

I pyetur për mundësinë e përjashtimit të profesorëve plagjiatorë, Qerimi shtoi se kjo nuk është vështirë e mundshme, por që duhet pritur një vendim final.

“Përjashtimi i të denoncuarve për plagjiaturë nuk është i vështirë nëse do të kishim vendim të bazuar dhe që vjen në këtë përfundim të një institucioni që është kompetent. Duke qenë kështu, pritja është që ne do të duhej ta respektonim këtë vendim. Rastet s'janë të mbyllura ende në aspektin institucional duhet të përpiqemi që të parandalojmë diçka të tillë (plagjiaturën v.j.), e kjo jashtëzakonisht është e rëndësishme”, shtoi ai.